Katedralja “Notre Dame” e Parisit rihapi dyert mbrëmjen e sotme, 5 vjet e gjysmë pasi u dëmtua rëndë nga një zjarr shkatërrues që dogji majën dhe çatinë e saj dhe pothuajse shkaktoi shembjen e plotë të kësaj kryevepre të artit gotik.
Katedralja mesjetare 860-vjeçare, një simbol i Francës dhe i Parisit , është restauruar me kujdes duke iu rikthyer lavdisë së mëparshme. Mes 35 liderëve botërorë që marrin pjesë në ceremoni është edhe Presidenti i zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Princi i Britanisë, William.
Mes krerëve të shteteve është edhe kryeministri Edi Rama, si dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Për shkak të erërave të forta, ceremonitë do të zhvillohen të gjitha brenda kishës. Për garantimin e sigurisë edhe për shkak të pjesëmarrjes së personaliteteve botërore, autoritetet franceze kanë forcuar masat e sigurisë jo vetëm rreth katedrales “Notre-Dame”, por në gjithë Parisin.
Për rindërtimin e saj, zyra e Presidentit Makron bëri të ditur se nga e gjithë bota janë mbledhur më shumë se 840 milionë Euro. Pas rihapjes së saj, Kisha Katolike pret që ajo të vizitohet nga mbi 15 milionë persona në vit.