“Nëse do të miratohet vendimi për rikthimin e basteve online, do të vendosen kushte shumë të forta dhe do të bëhet me kompani ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri Edi Rama, gjatë një dëgjesë publike për rihapjen e basteve sportive, organizuar nga Komiteti Olimpik Shqiptar.
Të gjitha paratë do të shkojnë për sportin, kulturën dhe rininë, shtoi kreu i qeverisë.
“Ne do ta shikojmë me shumë pozitivitet këtë gjë, do të vendosim kushte shumë të forta, do të kërkojmë patjetër nëse kjo do të bëhet, të bëhet me kompani ndërkombëtare, nuk do të lejojmë riciklimin e asnjë lloj gjëje që nuk sjell këtu kulmin e transparencës, kulmin e garancive për lojtarët dhe patjetër kulmin e ligjshmërisë, dhe këto janë të garantuara nga kompani të mëdha ndërkombëtare, të cilat operojnë botërisht dhe operojnë në zonën e Bashkimit Europian”.
“Ne kemi sot një pjesë që u la që atëherë të licencuar të kazinove vetëm në hotelet me 5 yje që ka qenë rezultat i nevojës për të stimuluar turizmin e nivelit të lartë, nuk stimulohen të pasurit, por ekonomia se këto hotele sjellin një lloj konsumatori, se ai s’rri në hotel, po del nga aty, shkon te kalaja e Tiranës, futet në dyqane, blen, merr makinën me qira, është një lloj konsumatori që shpenzon dhe aty kemi një sasi të ardhurash që janë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
Dhe Ministra e Financave po të jetë në panel, mezi pret të ndodhë, por i do paratë në buxhetin e shtetit.
Dhe unë kam qenë shumë i qartë që këto të ardhura të cilat ne i llogarisim që të jenë shumëfish më shumë se nga sa ne kontribuojmë çdo vit të shkojnë për sportin, kulturën dhe rininë, por në mënyrë shumë të qartë dhe dedikuar, pjesën e luanit do ta marrë sporti”, tha Rama.
Rama u shpreh se aktiviteti i basteve sportive lulëzoi në të zezë online dhe ende ka disa elementë që duhen shqyrtuar.
“Unë jam shumë i gatshëm të bëjmë këtë diskutim publik dhe brenda nesh kemi diskutimin tonë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka tendencën të jetë më shumë në krahun tuaj sepse të ardhurat nga një aktivitet i formalizuar do të ishin të konsiderueshme në funksion të sportit, rinisë, kulturës,” – u shpreh Rama.
Ai theksoi se aktiviteti dëgjesa publike kërkuar nga federatat sportive vjen pas një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana e federatave që publikisht kanë përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizimin e basteve sportive.
Kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar shqiptar, Fidel Ylli ka propozuar modelin italian ose suedez për legalizimin e pikave të basteve.
Ylli u shpreh se miliona euro luhen në të zezë dhe i kërkoi kryeministrit që qeveria të marrë masa dhe të tregohet e ashpër për të goditur këtë treg.
“Unë vetë kam qenë në parlament kur kam votuar pro mbylljes së basteve, pasi kishin mbirë si kërpudha në çdo cep. Tani po luhet më shumë në rrugë ilegale. Unë them të mbyllen bastet në të zezë. Ti kontrollojë shteti. Nuk ka shtet evropian dhe ligj evropian që i ndalon bastet. Ligjet tona duhet të njehsohen me ligjet evropiane,” – u shpreh Ylli.
Sipas tij shteti mund të ndihmohet me këto të ardhura dytësore.
“Sot luhet me miliona, sporti nuk merr asnjë lek. Kur shtete evropiane i kanë këto ligje, i kanë me standarde, po ne kaq të pasur jemi që nuk i kontrollojmë dot, nuk marrim asnjë lek. Është më mirë që ti nxjerrim nga errësira, ti kontrollojë shteti, që sporti të përfitojë dhe të ndërtojë pishina, palestra etj,” – deklaroi kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar shqiptar.