Janë vendi më i prekur nga pandemia e COVID-19 në të gjithë botën, por politika dhe komuniteti shkencor në SHBA, nuk po e gjejnë dot gjuhën e përbashkët në luftimin e pandemisë.
Përplasja mes presidentit Donald Trump dhe këshilltarit të lartë për sëmundjet infektive, Anthony Fauci po pushton titujt e këtyre ditëve.
Mjeku i njohur paralajmëroi për pasoja serioze nëse kufizimet do të hiqeshin para kohe, por Trump e cilëson të papranueshëm pohimin e tij. Ai e akuzoi Faucin për lojë të dyfishtë, pas dëshmisë së tij në Senat ditën e martë.
Presidenti veçoi si veçanërisht të papëlqyeshme pohimin e ekspertit të shëndetësisë, se ishte e rrezikshme që fëmijët të riktheheshin në shkolla.
“Shikoni, ai po bën lojë të dyfishtë. U befasova me përgjigjen e tij, për mua është e papranueshme, veçanërisht paralajmërimi për hapjen e shkollave. E vetmja gjë e pranueshme do të ishte qe t’i jepnim më shumë kohë mësuesve më të moshuar, por sa i përket fëmijëve shihni statistikat. Janë të mrekullueshme”, deklaroi presidenti amerikan.
Shtetet e Bashkuara numërojnë gati 1.4 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 84 mijë vdekje. Por presidenti republikan po nxiton të rikthejë amerikanët në punë dhe ka vlerësuar guvernatorët që kanë zbutur kufizimet, njëkohësisht duke kritikuar të tjerët që nuk po veprojnë në mënyrë agresive.
Vendi është i ndarë lidhur më çështjen, me kritikët që e akuzojnë Trump se po rrezikon jetët njerëzore për interesa politike në prag të zgjedhjeve presidenciale të muajin nëntor.