Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ishte këtë të premte në Prokurorinë e Përgjithshme ku prezantoi rekomandimet e Këshillit të Ministrave për kriminalitetin.
Në përfundim, ai pati një prononcim për mediat ku u pyet në lidhje me kërkesën e kryetarit të SPAK-ut, Altin Dumani për rikandidimin e prokurorëve të posaçëm. Manja tha se prokurorëve të posaçëm u garantohet pas mbarimit të mandatit vazhdimi i funksioneve në nivel apeli ose nëse duan pastaj në nivelin e Shkallës së Parë si drejtues ose në ndonjë vend tjetër me pëlqimin e tyre.
Sot, Kushtetuta parashikon që prokurorët e SPAK të jenë me një mandat 9-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje.
Ministri Manja tha se kur kjo kërkesë e tyre për rikandidim do të shtrohet për diskutim, ai vetë do të jetë në krahun e prokurorëve. Manja tha ndër të tjera se për këtë çështje edhe mazhoranca do të ketë një qëndrim pasi për të bërë ndryshime duhet vullnet më i gjerë sesa i shumicës.
“Ajo që do duhet të adresohet tani është që tjetër gjë është e drejta që parashikon ligji, tjetër gjë është garantimi i ushtrimit dhe vazhdimit të funksioneve të kësaj trupe nesër në institucionin e prokurorisë. SPAK sot është prokurori që për nga niveli është i barazuar me Prokurorinë e Apelit. Dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme pas mbarimit të mandatit në atë strukturë do duhet t’u garantohet vazhdimi i funksioneve si prokurorë në nivel apeli ose nëse duan pastaj siç thotë ligji në nivelin e prokurorive të Shkallës së Parë si drejtues apo ndonjë vend tjetër kjo bëhet me pëlqimin e tyre”, tha Ulsi Manja.
Pyetje: Nuk do pranohet rikandidimi i tyre?
Ulsi Manja: Sot Kushtetuta ka këtë parashikim, 9 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje. Por prisni, ata janë në vitin e 5 të ushtrimit të funksioneve të tyre. Në momentin që do të shtrohet për diskutim kjo kërkesë e tyre, nëse do të shtrohet kjo kërkesë e tyre, sigurisht të jeni të bindur që si ministër i Drejtësisë dhe si ligjvënës pa diskutim që unë jam në krahun e prokurorëve. Jam në krahun e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Kur të shtrohet ky diskutim për mazhorancën sigurisht do kemi edhe një qëndrim sepse ju e dini që kushtetuta kërkon një vullnet më të gjerë sesa të mazhorancës.
Gjatë raportimit të tij në KLP, Dumani kërkoi ndryshimin e ligjit me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit.
“Është investuar aq shumë për ngritjen e tyre profesionale jo vetëm nga shteti por dhe ndërkombëtarët. Këta janë aset. Nuk kemi luksin ti çojmë në një vend tjetër. Nuk kemi aq burime njerëzore, e të kualifikuar dhe me integritet sa të plotësojmë boshllëqet e krijuara. Rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar. Do të thotë unë si Altin Dumani do të vij të konkurroj. Nuk thashë të emërohet automatikisht”, tha Dumani.