Rikthehen “Ethet e Nilit” në Shqipëri, ndërsa janë regjistruar 3 humbje jete nga virusi deri tani.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino ka folur për situatën duke konfirmuar 17 raste të të prekurve nga virusi dhe 19 të tjera të mundshme, për të cilat po pritet rezultati i analizave.
Rastet e të prekurve nga “Ethet e Nilit” janë regjistruar në Lushnje, Fier dhe Kurbin. Kjo sëmundje ka shpërthyer në muajin korrik. Rasti i parë dyshohet se ka qenë një emigrant që qëndroi në qytetin e Lushnjës, i cili konfirmoi se ishte prekur nga sëmundja pasi ishte rikthyer në Greqi.
“Ethet e Nilit” transmetohen nga mushkonjat dhe në format më të lehta sëmundja tek pacientët zgjat nga 3 deri në 6 ditë. Simptomat e virusit janë të ngjashme me ato të gripit, pasi shfaqin temperature dhe gjendje parehatie të përgjithshme.