Duke nisur nga kjo e mërkurë, të gjitha baret dhe restorantet në Marsejë do të mbyllen duke nisur nga ora 23:00 dhe mbajtja e maskës në hapësirat publike do të jetë e detyrueshme për të gjithë. Një vendim i tillë vjen pasi në qytetin francez janë regjistruar raste të reja me koronavirus, çka ka shqetësuar edhe autoritetet.
“Situata është mjaftueshëm alarmante, prandaj janë marrë masa shtesë sikundër restorantet, baret dhe dyqanet e ushqimeve do të mbyllen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 6 të mëngjesit”, tha Christophe Mirmand, Prefekt në Bouches-du-Rhones
Rastet me COVID-19 janë duke u shtuar edhe në Sardenjë, 91 të infektuar në 24 orët e fundit dhe me mijëra teste të cilat bëhen çdo ditë. Festat private dhe klubet e natës duket se janë vatrat kryesore të virusit. Një javë më parë, në një klub nate rreth 52 punonjës rezultuan pozitivë.
Situata nga pandemia është përkeqësuar edhe në Bratislavë në Sllovaki, çka po detyron autoritetet të rivendosin masa strikte. Shumë prej aktiviteteve publike, por edhe shtëpitë e të moshuarve do të ndiejnë efektin e tyre.
Organizata Botërore e Shëndetit është duke minimizuar shqetësimet se pandemia mund të shkaktojë një alarm të ri. Ajo thotë se shanset për t’u infektuar sërish nga virusi janë të pakta, por duhen siguruar të dhëna të tjera. Shqetësimet u shtuan pasi një rast i dytë i rinfektimit është konfirmuar në Roterdam. Rasti i parë u regjistrua në Hong-Kong, ku një 33-vjeçar i cili u kthye nga Spanja. ishte prekur sërish nga virusi.
Duke kërkuar vazhdimisht që qytetarët të respektojnë masat sikundër mbajtja e maskës dhe distanca fizike, OBSH dy ditë më parë kërkoi unitet në luftën ndaj pandemisë duke bërë me dije se 172 shtete janë bërë pjesë e planit CoVAX, nismë globale që po punon me qeveritë dhe prodhuesit për të siguruar që vaksina të jetë në dispozicion të të gjitha vendeve, qoftë të varfra apo të pasura.