Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar se kjo stinë do të sjellë protesta në fuqishme në vend.
“Mendoj se shqiptarët do të arrijnë t’i japin përgjigjen e merituar kësaj maxhorance në tërësi, parlamentit dhe qeverisë në këtë stinë e cila lajmëron më shumë se çdo gjë tjetër, protesta të fuqishme popullore”, tha Berisha jashtë Parlamentit.
I pyetur nga gazetarët se për zhvillimin e këtyre protestave a do të koordinohet me Ilir Metën, Berisha e ka pohuar teksa ka shtuar se do të mblidhet një front opozitar dhe do të miratojë një axhendë për mbarëvajtjen e protestave.
“Padiskutim që koordinimet do të bëhen. Ka një front opozitar që do të mblidhet. Do të mblidhet ‘Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë’ dhe do të miratojë një axhendë që ka si synim një protestë të qëndrueshme popullore në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se “Parlamenti është kujdesur në maksimum për triumfin e krimit në ekonominë shqiptare”.
“Parlamenti është kujdesur në maksimum për triumfin e krimit në ekonominë shqiptare. Ligji për amnistinë fiskale për të cilin flet me të madhe Edi Rama dhe që do ta kalojë. Ligji për dhunimin e medias, ishte në rend dite, paketa e mediave. Ligji tjetër për drogë, legalizimin e kanabisit. Ka një kujdesje të veçantë që të sanksionohet me ligj ekonomia e krimit në Shqipëri apo krimi të kapë ekonominë shqiptare”.