Tropoja u trondit mesnatën e të dielës nga një ngjarje e rëndë. Ka qenë ora 23.30 e mbrëmjes kur në rrethana ende të paqarta një 47-vjeçar është qëlluar me armë zjarri në afërsi të karburantit të tij.
Viktima është Guxim Gjyriqi, pronar i një restoranti dhe karburanti në qytetin verilindor. Dyshohet se autorët i kanë bërë pritë 47-vjeçarit pranë bizneseve të tij në lagjen “Partizani” në Bajram Curr.
Pasi e kanë qëlluar me breshëri autorët janë larguar. Nuk ka ende të dhëna lidhur me ndonjë autor të dyshuar të këtij krimi, ndërkohë që gjatë paradites së të hënës policia njoftoi se kishte gjetur një makinë të djegur në Golaj të Hasit.
Sipas informacioneve paraprake dyshohet se mjeti mund të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së Gjyryqit, e më pas për të humbur gjurmët i është vënë flaka.
Për të zbardhur rrethanat dhe motivet e krimit, në ndihmë të policisë lokale kanë shkuar forca nga drejtoria e Kukësit, ndërsa dy grupe të FNSH kanë zbarkuar në Tropojë.