Mbrojtësi dhe kapiteni i Juventusit, pas dëmtimit dhe mungesës së gjatë, do të kthehet në formacion, duke u “çiftuar” me Bonucci, në qendër të mbrojtjes bardhezi. Ndërkohë, reparti ofensiv do t’i besohet “tridentit” CR7-Dybala-Cuadrado. Kjo nënkupton se në stol përfundojnë De Ligt dhe Higuain, gati për të dhënë kontributin e tyre me kalimin e minutave, në varësi të situatave dhe rezultatit. “Gazzetta dello Sport”, përmes kësaj videoje, ka “spiunuar” planet e trajnerit Sarri, mënyrën e lojës dhe formacionin startues ndaj Interit.
Sikurse dihet, supersfida e javës së 26-të të Serie A do të luhet të dielën në mbrëmje, prej orës 20:45, në “Allianz Stadium”, pa tifozë, për shkak të “Coronavirus”. Veriu i Italisë, ku bën pjesë dhe Torino, është në karantinë të rreptë, falë një dekreti të qeverisë dhe masaj parandaluese të emergjencës mjekësore rajonale e kombëtare. Për momentin, zikaltrit kanë tri pikë më pak se kampionët e Italisë në fuqi, teksa mbajnë vendin e tretë, mbas Lazio (e dyta).
Pra, flitet për një përplasje me shumë rëndësi për fatin e titullit kampion. Fitorja është objektiv i panegociueshëm për të dyja palët, ndërsa barazimi mund të çojë ujë në “mullirin bardhekaltër”. Në videon më poshtë njihuni me formacioni e mundshëm startues të “Zonjës së Vjetër” në këtë derbi të Italisë: