Penalltia e gjuajtur nga Roberto Baxho në traversë nuk mund të ndryshojë trajektore, por tani, pas 25 vitesh distancë nga ajo finale e Botërorit të Amerikës, shumë nga lojtarët që ishin në fushë mund të marrin “hak” ndaj brazilianëve. Ajo finale do të riluhet në Fortaleca, më 9 janar, në orën 21:30. Do të jetë një miqësore mes lojtarëve të atyre dy ekipeve të lavdishme, shumica e tyre në fushën e “Rose Bowl” më 17 korrik 1994, kur Brazili u shpall kampion bote për herë të katërt, pasi mundi me penallti Italinë e Arrigo Sakit. Trajneri nga Fuzinjano, sot 73 vjeç, do të kthehet në stol, por mes protagonistëve mungon pikërisht ai, Roberto Baxho, i njohur si “bishtaleci” në atë kohë.
Ka qenë Federata Braziliane e Futbollit që ka bërë të ditur lajmin dhe datën e zhvillimit të kësaj miqësoreje, si dhe listën e disa prej lojtarëve që do të jenë në fushë. Për Italinë do të jenë në fushë Xola, Albertini, Barezi, Apoloni, Benarrivo, Berti, Kostakurta, Kaziragi, Evani, Musi, Masaro, Tasoti, Bralia, Vierkvud, Skilaçi, Eranio, Rosi dhe Panuçi.
Në radhët e brazilianëve të grumbulluar nga Karlos Alberto Parreira do të jenë Tafarel, Gilmar, Kafu, Zhorzhinjo, Marcio Santos, Aldair, Rikardo Roça, Ronaldao, Branko, Mauro Silva, Dunga, Mazinjo, Bebeto, Zinjo, Paulo Serxho dhe Viola. Të gjithë lojtarë të mëdhenj që i sollën suksesin Brazilit. Ndoshta edhe me pak fat, pasi gjithçka u vendos nga “ruleta” e penalltive. Nga pika e bardhë për Italinë gabuan Barezi, Masaro dhe Baxho, shënuan Albertini dhe Evani. Për Brazilin, që gjuajti vetëm katër penallti, gaboi vetëm Marcio Santos, kurse ata që realizuan ishin Romario, Branko dhe Dunga.