Politika Rikthehet Ilir Beqaj, do të drejtojë agjencinë më të rëndësishme për donatorët

Rikthehet Ilir Beqaj, do të drejtojë agjencinë më të rëndësishme për donatorët

Ashtu siç edhe përflitej prej kohësh, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, (që nuk fitoi dot mandatin e deputetit për PS në Shkodër) do të marrë në dorë drejtimin e Agjencisë më të re të miratuar nga Këshilli i Ministrave ajo e Planifikimit Strategjik dhe Ndihmës së Huaj.

Në thelb në këtë agjenci do të përqendrohen të gjitha fondet prej donatorëve dhe ndihmës së huaj, përfshi këtu edhe ato që vijnë prej Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit

Beqaj u prezantua këtë të mërkurë nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë takimit Konsultativ të Ministrisë së Brendshme me Donatorët, ku ishin të pranishëm dhe ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca.

“Agjencia është e re është krijuar prej tre javësh ndërsa unë si drejtues i saj jam sot në ditën e tretë të detyrës. Agjencia nuk e nis nga hiçi. Ky aktivitet tregon për trashëgiminë mbi të cilën do ngrihet agjencia. Ajo është një qasje e kahershme e imja prej 25 vitesh. Jam mësuar të punoj 24/7. Kjo agjenci do të jetë në dispozicion gjatë gjithë kohës. Sot dua të ndaj me ju dhe një lajm të mirë. Në buxhetin e shtetit të vitit 2022 kemi hapur rrugën e zgjidhjes për komunitetin e donatorëve, atë të rimbursimit të TVSH kur nuk është programuar në kohë buxheti respektiv. Buxhetit i shtetit të vitit 2022 mban një fond për këtë gjë”, tha Beqja.

PD-ja në anën tjetër e ka kundërshtuar ngritjen e kësaj agjencie, sa kohe që ka struktura aktuale që rregullojnë funksionet e saj.

Ndërkohë agjencia e ngritur do të ketë thuajse funksionet një ministrie.

Ajo e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror. Agjencia do të financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme dhe ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe projekteve zhvillimore.

Ndër përgjegjësitë e agjencisë së re është edhe mbështetja e ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

Kjo agjenci ka për detyrë gjithashtu të mbështesë Kryenegociatorin dhe Grupin Negociator në programimin dhe monitorimin e asistencës financiare të BE-së në funksion të procesit të aderimit në BE dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.