Të gjithë ata që do të duan të luajnë në bastet sportive online do të duhet të regjistrohen me identitetin e tyre në sistemet që do të jenë të disponueshme nga kompanitë e licencuara në këtë lloj aktiviteti.
Draft ligji i lojërave të fatit i nxjerrë për konsultim parasheh një rol specifik edhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit e cila do të japë mendim standardet që kanë të bëjnë me kushtet teknike të sistemit të basteve sportive on-line, duke përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e lojtareve, kërkesat e programeve software dhe hardeare, certifikimin e sistemit, procedurat në lidhje me faturat dhe transaksionet e pagesave, parimet e sigurisë, dhe kushtet e kontrollit apo mbikëqyrjes. Pas konsultimit me Agjencinë specifikimet do të kalojnë me vendim të veçantë nga qeveria.
Bastet sportive online do të jenë të detyruara të kenë të regjistruar lojtarët e tyre dhe të dhënat do të duhet të ruhen për të paktën tre vjet. Këto baste që specifikohen se do të jenë vetëm online nuk do të kenë pika fizike por faqe internet, aplikacione dhe infrastrukturën e nevojshme teknologjike që mundëson aktivitetin brenda kornizave të përcaktuara dhe që janë të monitorueshme.
Në nenin 26 thuhet se organizatori i basteve sportive ka “detyrimin të regjistrojë paraprakisht çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive online si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet. Ruajtja e këtyre të dhënave të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Një tjetër element që bie në sy është ajo e pagesave që nuk do të jenë me para në dorë në mënyrë të drejtpërdrejtë mes organizatorit dhe lojtarit por do të kalojnë përmes një agjenti financiar të autorizuar.
“Organizatori i basteve sportive online nuk duhet të pranoje para në dorë nga lojtarët, por vetëm nëpërmjet Agjenteve Financiar të Autorizuar sipas këtij ligji” thuhet në ndryshimet e bëra në nenin 26.
Kjo do të thotë që organizatori që kërkon të licencohet në bastet sportive online do të duhet të ketë edhe agjentin financiar të autorizuar me të cilin kërkon të ketë bashkëpunimin. Sipas ndryshimeve të sjella në ligjin e lojërave të fatit ku janë shtuar edhe disa pika të tjera sqaruese mbi termat ““Agjentet Financiar” janë Posta Shqiptare, bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë sipas parashikimeve të licencës së tyre, bazuar në ligjin nr.55/2020 “Për shërbimet e pagesave. Pra pagesa për bastet sportive online kalon nga njëri prej tyre.
Drafti nënvizon gjithashtu se për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori kategorisë “Baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 000 000 (një qind e njëzet milionë) lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Kapitali për Lotarinë Kombëtare zvogëlohet me 30 herë
Një tjetër pikë në draftin për lojërat e fatit është ajo për lotarinë Kombëtare licenca e të cilës jepet për një afat 10 vjeçar. Në listën e kritereve që duhet të përmbushen duket se qeveria e ka parë të arsyeshme që të zvogëlojë kapitalin për të marrë këtë licencë nga 1.2 miliardë që është aktualisht në 40 milionë lekë pra 30 herë më i ulët.
Sipas ligjit përzgjedhja e subjektit për lojërat e fatit Lotari Kombëtare bëhet nga Komisioni i Licencimit, në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. Për këtë Lotari jepet vetëm një licencë.
Fondi i Posaçëm
Drafti parashikon krijimin e një fondi të posaçëm ku të ardhurat që vijnë përdoret me vendim të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve.
“Ky fond shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqitura nga institucionet shtetërore, pas marrjes së mendimit të institucioneve publike të fushës” thuhet në dokument. Në këtë fond subjektet që janë pjesë e ligjit për lojërat e fatit kanë kontribut të ndryshëm.
Kështu bastet sportive online nuk do të paguajnë 15 për qind të të ardhurave bruto si taksim por do të kalojnë automatikisht të njëjtën përqindje në këtë fond. Praktikisht ngarkesa e tyre fiskale është e njëjtë dhe ndryshon vetëm emërtimi i destinacionit ku orientohen paratë.
Organizatorët e kategorive “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 0.4 për qind të xhiros vjetore. Këta të fundit paguajnë gjithashtu detyrime të tjera si 15 për qind të të ardhurave të tyre bruto si dhe detyrime tatimore mujore me specifikime mbi tryezat dhe lojërat elektronike që disponojnë.
Organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës krahas detyrimeve të parashikuara në këtë nen, duhet të derdhë në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 5,4 për qind të xhiros vjetore.
Drafti shton edhe një pikë tjetër në nenin 52 ku thuhet se “Organizatorët e kategorive “Baste sportive online”, “Bingo televizive” dhe “Lotari Kombëtare” krahas detyrimit tatimor të parashikuar në këtë nen derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm edhe 15 % të shumës së deklaruar për publicitetin e kryer në përputhje parashikimet e këtij ligji.”./Monitor