Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në reagimin e radhës për sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS, bën me dije se ekipet e IT po vijojnë punën për ta rikthyer atë në punë.
Çuçi falënderoi partnerët amerikanë për ndihmën dhe bëri një panoramë të pikave kufitare që tashmë e kanë rifilluar punën normalisht.
“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas.
Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë. Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje”, shkruan Çuçi.