Nga Skënder Minxhozi
Shprehja e vjetër thotë se që të kërcesh tango duhen dy veta. Përkufizimi i shkon sallave të dansit, por në jetën politike të Shqipërisë ka kohë që tangoja partiake luhet treshe. Të paktën që nga janari i vitit 2022, kur demokratët vendosën ta ndajnë me tym e flakë godinën e partisë, stemën e vulën e saj. Nëse e para, ndërtesa, u mor me dhunë nga Berisha, dy të tjerat, stema e vula, do t’i mbeten kryetarit të ri dhe të vjetër Lulzim Basha.
Rizgjedhja e Bashës në krye të PD zyrtare shënon një zhvillim të pritshëm, që daton kohë më parë se vërdallosjet e Lulit nëpër Shqipëri me bluzat e gjelbëra të Zelenskit, për të predikuar koncepte të vjetra, ide të konsumuara e të shkelura me këmbë prej vetë atij kur ishte shef partie, e që sot tërheqin vëmendjen e pakkujt që sheh lajmet nga kolltuku i shtëpisë.
Në funksion të lojës së forcës brenda opozitës, sot ka pak njerëz që do të vinin bast dy mijë lekë të vjetra, që Basha i rizgjedhur do të përmbyste dot raportin 500 mijë me më pak se 40 mijë që u vendos mes Rithemelimit (plus Partinë e Lirisë) në njërën anë dhe PD zyrtare në anën tjetër. Përqindjet e PD së Alibeajt në 14 maj kanë pasur brenda edhe shijen e keqe që ka lënë tek e djathta humbësi serial Lulzim Basha.
Më në fund në tregun tonë. Një preparat natyral që përmirëson dëgjimin dhe është armiku më i madh i tringëllimë në veshët dhe infeksionet e veshit.
Megjithatë Luli e rimori zyrën dhe do të përpiqet ta mbajë ashtu siç di. Domethënë duke vegjetuar më së shumti, e duke u përpjekur të gjejë ndonjë të çarë mes gjigandit hijerëndë Rama të lodhur nga pushteti, e dyshes së përjetshme plot rrudha e halle personale Berisha-Meta. Kjo tango e habitshme trepalëshe do të ushqejë këtej e tutje fabulën politike të vendit. Me sytë nga dera e SPAK!
Lulzim Basha nuk ka ikur realisht asnjëherë nga posti i kryetarit të partisë. Kur ka lënë me një deklaratë televizive PD, në mesin e sherrit me Berishën, ai ka qenë de facto sërish shefi i partisë pasi dorëheqja nuk ishte depozituar në gjykatë.
Ashtu si largimi, edhe rizgjedhja e para pak orëve ka qenë formale. Në garë me një kundërshtar krejt të panjohur, ai krijoi një korsi të shpejtë afrimi drejt zyrës së kryetarit të PD zyrtare, por në ndryshim nga momenti i vetëpezullimit, po e gjen PD me 37 mijë votues (në zgjedhjet e 14 majit), në vend të 622 mijë votave që Partia Demokratike mori dy vjet më parë, në zgjedhjet parlamentare. Përtej faktit që ai mund të mburret nga mëngjesi në darkë me stemën dhe vulën zyrtare të partisë më të madhe të të djathtës shqiptare, pesha e tij reale sot në politikë është ajo e shifrës së parë, jo e të dytës.
Por Basha ka provuar edhe në të shkuarën se di ta përtypë me qetësi qenien i dyti, madje dhe i treti. Njëra ndër kritikat më të forta dhe të drejta që i janë adresuar, është ajo e të qenit një numër dy i përjetshëm, jo një luftëtar ambicioz për vendin e parë në garë.
Megjithatë, për Bashën, ashtu si për Ramën, Berishën apo Metën, shtatori i këtij viti ka një pamje më të mistershme sesa sezonet e tjera vjeshtore të politikës. Në fushë ka hyrë me të drejta të plota SPAK, elefanti i vërtetë në mes të dhomës. Dhe Luli, ashtu si të tjerët, duhet të mësohen me këtë aktor të ri dhe të paparashikueshëm.
Të qenët në opozitë nuk është ndonjë garanci kushedi se çfarë, sepse edhe ai, si një politikan tashmë tre herë ministër, kryetar bashkie i Tiranës dhe shef i opozitës për tetë vjet, ka “skeletet” e tij në dollap.
Lulzim Basha gjen një zyrë të ndryshuar të kryetarit të PD zyrtare. Shumë më modeste, larg godinës së SHQUP-it dhe që përballet sot me shumë të panjohura.
Megjithatë më mirë në rreshtin e parë të politikës sesa varavingo mes Shqipërisë, Holandës apo ndonjë destinacioni të mërzitshëm pushimesh. Nuk e ka moshën për pension. Por as ambicien për kryeministër. Tamam një figurë plotësuese, nga ato që i duhen tani Ramës dhe Berishës.