Ministria e Jashtme në një njoftim për mediat ka thënë se është i pavërtetë lajm i pavërtetët mundësia e rikthimit të vizave për shqiptarët.
Sipas ministrisë nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.
“Ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës. Është për të ardhur keq, që një lajm i tillë i rremë, lehtësisht i verifikueshëm për mediat apo forcat politike, ka gjetur jehonë në sferën publike në Shqipëri“, thotë Ministria.
Ministria thekson se Shqipëria është një partnere e besuar e BE dhe nëse ka shqetësime për rritjen e numrit të emigranteve të paligjshëm në të ashtuquajturën “rruga ballkanike”, ato janë trajtuar e trajtohen me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë.
“Vendi ynë ka qenë i pari në rajon, qe ka nënshkruar marrëveshjen me Frontex dhe ka një bashkëpunim shembullor me të gjitha agjencitë e BE dhe vendeve anëtare në përballimin e emigracionit të paligjshëm”- thuhet më tej në njoftim.
Ministria garanton qytetarët shqiptarë se ata nuk rrezikohen aspak dhe në asnjë moment nga e drejta për të lëvizur pa viza në hapësirën e BE.