Drejtuesi i fushatës së PD-së në Tiranë, Alfred Rushaj deklaroi se për shkak të vazhdimit të numërimit do të ketë surpriza të pakëndshme për kundërshtarët socialistë.
Ai tha gjatë një prononcimi në selinë blu se numërimi i votave do të konfirmojë vullnetin e shqiptarëve për ndryshim.
Sipas Rushajt kjo gjë shihet në mënyrën se si PD-ja ka rikuperuar dy deputetë. Në fund ai i ka bërë thirrje vëzhguesve, komisionerëve dhe numëruesve që të mos tjetërsojnë vullnetin e shqiptarëve.
“Siç ju kemi thënë që në fillim, numërimi i çdo vote do të konfirmojë vullnetin e shqiptarëve për ndryshim. Sot, pamë konkretisht se si dy vende u rikuperuan, vende deputetësh. Vazhdimi i numërimit do të ketë të tjera surpriza të pakëndshme për kundërshtarët tanë. Prandaj jam këtu sot për t’u bërë thirrje çdo komisioneri, çdo vëzhguesi, çdo numëruesi të cilësdo parti, mos tjetërsoni vullnetin e qytetarëve shqiptarë për ndryshim. Ata kanë votuar për ndryshimin, ata presin ndryshimin dhe ne do ju sjellim ndryshimin”, tha Rushaj.