Nuk do të ketë bonuse apo indeksim në shifra të ulëta, Sali Berisha premton rimbursim të TVSH për produktet e shportës për të gjithë pensionistët dhe familjet në nevojë kur Partia Demokratike të vijë në pushtet.
Teksa bëri një krahasim se si jetojnë pensionistët në rajon dhe ata në Shqipëri, lideri i opozitës prezantoi skemën e Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë shtresave më në nevojë.
“Dal sot para jush për të informuar qytetarët se do vendoset me urgjencë karta e konsumatorit, me të cilën do rimbursohet 100 përqind TVSH-ja e produkteve bazë të shportës për çdo pensionist, për çdo familje në minimumin jetik, për çdo invalid, pa përjashtim”.
Berisha shpjegoi edhe mënyrën se si do të funksionojë kjo kartë. “Çdo faturë e atyre që paraqesin këtë kartë, do depozitohet në një server dhe në krye të 6 muajve do bëhet bilanci, 20-30 ditë mbrapa dhe poseduesi i kartës do marrë të gjithë pagesat që ka bërë për TVSH-në”.
Por kjo nismë nuk do të jetë e vetmja mbështetje për pensionistët, pasi Berisha propozoi dhe pagesë propocionale për çmimin e ujit dhe energjisë për ta.
“Kam kërkuar nga ekspertët dhe do përgatisin pagesën, çmimin proporcional të energjisë dhe ujit që këta do paguajnë. Kjo është paketa e tretë, të cilën unë do e paraqes sapo specialistët të kenë bërë të gjitha përllogaritjet ndaj kësaj shtrese”.
Lideri demokrat komentoi dhe propozimin që vjen nga radhët e socialistëve për të shtyrë aftin e ligjit për investimet strategjike. Berisha pohoi se ky ligj do të anulohet sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.