Një 22-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje është ndaluar në aeroportin e Rinasit.
Alfred Rrasa, nga Shkodra, ishte kthyer si i deportuar nga autoritetet kroate, por pas verifikimeve përkatëse ka rezultuar se ai kërkohej për një vrasje në Itali.
Nisur nga dyshimet pas krahasimit të fotove me personin dhe shpjegimeve konfuze që jepte, efektivët e Rinasit analizuan të dhënat dhe rezultoi se personi në fjalë ishte Alfred Rrasa, ndërsa të dhënat në dokumentin e kalimit ishin të vëllait të tij.
22-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Cuneos, ne Itali, me vendim të datës 7 gusht 2017, e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasje, e vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga nenet 56, 110, 575 dhe 577 të Kodit Penal Italian, si dhe neneve 10-12-14 të ligjit nr. 497/74. Maksimumi i mundshëm i dënimit “Burgim i përjetshëm”.