Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të platformës “online” me anë të të cilës qytetarët e prekur nga tërmeti do të përfitojnë nga Programi i Rindërtimit, theksoi se “çdo familje do të mund të aplikojë në platformë” dhe do të marrë kodin përkatës.
“Mjafton që familja të bëjë aplikimin dhe të marrin një kod dhe nga Smartfoni do të mund të ndjekë se ku është projekti i vet. Në program janë futur familje pa të drejtë. Do të ndëshkohen. Ky nuk është një proces për të bërë qoka”, theksoi Rama.
“Në 60 ditë ne kemi bërë një volum pune që krahasuar me eksperiencat e vendeve të tjera, është një volum shembullor. Eksperienca e vendeve të tjera ka shumë pamje. Ne kemi Italinë fqinje, një nga vendet më të industrializuara të botës, ka sot që flasim edhe shembuj të rindërtimit me një kapërcim cilësor në raport me tërmetin. Ka edhe shembuj që edhe pas 15 vjetësh, familjet ndodhen në kabina. Ky nuk do të jetë rasti ynë. E them këtë për të treguar se procesi është shumë kompleks”, tha Rama.
“Ne do të bëjmë shtëpi që do të bëjnë diferencën me të shkuarën. Në vend që të rindërtojmë në mënyrë të shpërndarë, ashtu siç është ndërtuar rëndom në Shqipëri, duam të krijojmë komunitete. Ka pasur komunikim me banorët që kanë humbur shtëpitë në zonat rurale dhe u themi pse ka një avantazh që të spostohen nga shtëpitë ekzistuese në qendërza në komunitet”, shtoi kreu i qeverisë.