Duke mësuar nga faqja zyrtare e Bashkisë Memaliaj, se këto ditë ka formuar një grup pune për ngritjen e “Muzeu Minatori” ose “Muzeu Historik i Memaliajt”, padyshim që i ka gëzuar të gjithë memaliotët kudo në botë, të cilët e përgëzojnë dhe e mbështesin me aq sa mundësi të kenë për ta përfunduar këtë projekt, duke dhuruar gjithçka që konsiderohet me vlerë për këtë muze!
Padyshim që do kenë ngelur disa relikte nga koha e minierës së Memaliajt, siç janë pajimet e një minatori, elektricisti, mekaniku, lambisteri, shinashtruesi, tryezë pune e zdrukthëtarit, tornitori, kovaçi,.., etj, paharruar një torno dhe një vagonë, mbi dy shina , ..etj. Nëse nuk munden për t’i siguruar, pasi kuptohet që ka kaluar një kohë e gjatë, duhet të merren nga minierat e tjera, për të ilustruar atë kohë.
Për ringritjen e këtij muzeu të shumëpritur nga memaliotët, kam publikuar edhe një shkrim me titull “Muzeu i munguar i qytetit Memaliaj!“, më 14 qershor të vitit 2013 tek gazeta “Tirana Observer”, ku shprehë shqetësimin, rëndësinë, çfarë pasqyronte muzeu që u prish dhe si t’a pasurojmë atë!
Tek faqja “Memaliaj” në Facebook, kemi publikuar të arkivuar albume të ndryshme, ku pasqyrohet jeta në fusha të ndryshme, si ajo e punës në minierë, arsim, shëndetësi, shërbime sociale, letërsi, art, sport, …, etj, falë kontributit të atyre bashkëqytetarëve, që kanë ndihmuar brenda mundësive të tyre! Padyshim, që të gjitha albumet janë të lira për t’u përdorur nga grupi i punës që do të merret për çdo pavioni të “Muzeut Historik të Memaliajt”.
Në këtë muze, padyshim që do ketë pavion edhe për punimet artizane që nga tantellat, qëndisjet, punimet me gjalmë si trikot dhe shallet, punimet me dru, stoli, tezgjah, rrugica, qilima, makina qepse rrobash dhe këpucësh, kudhër këpucari dhe kovaçi, çifte gjuetarësh, pushkë deti dhe maska zhytëse, kallama peshkimi dhe fillo dore, zile banesash, ekspres kafesh, transformatorë të llambave të gjumit, makina të vjeljes së mjaltit, maska të bletëritësve, makina të prerjes së duhanit, kazanë rakie, çibukë dhe tavull duhani, llastiqe, karroca me kushineta, patina, antena televizori, punime me teneqe dhe çdo gjë qe prodhohej me dorë nga artizanët e kohës. Të gjitha këto pasqyrime do të bëjnë më të plotë këtë muze.
Nuk na ngelet gjë tjetër, veçse të falenderojmë kryetarin e Bashkisë së Memaliajt, z. Albert Malaj dhe administratën e tij, për nisjen e këtij projekti dhe urojmë që të përfundojë me sukses!
Inaugurimi i këtij muzeu, jo vetëm që do të gëzojë të gjithë brezat memaliotë, por do të qetësojë edhe shpirtërat e të gjithë atyre heronjve që kanë punuar në sektorë të ndryshëm të kësaj miniere dhe të fushave të tjera të jetës në këtë qytet!
Edmond Ismailati, Korrik 2023