Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisë më 12 korrik në Bruksel.
Në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi i BE për çështjet e jashtme, Peter Stano e cilësoi njoftimin si një lajm të mirë.
“Mund të konfirmoj se këtë të diel, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të vijnë në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE. Ky do të jetë takimi i parë në kuadrin e dialogut që nga nëntori i vitit 2018” njoftoi Stano.
Përfaqësuesi i Lartë i BE, Joseph Borrell do të mirëpresë dy liderët, ndërsa përfaqësuesi special i dialogut Prishtinë-Beograd Mirosllav Lajçak do të moderojë diskutimet.
“Ky takim do të vazhdojë diskutimet dhe punën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me kushte të dyanshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për të trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura”, tha nga Brukseli zëdhënësi i BE, Peter Stano.
Ky takim do të zhvillohet pas samitit virtual që do të zhvillohet të premten me 10 korrik nga Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel.