Rexhina Nano, ish-bashkëshortja e Fatos Nanos, ka ruajtur një profil modest.
Ajo është rikthyer pas shumë vitesh në publik për një diskutim të thjeshtë mes një rrethi të ngushtë njerëzish në Kryeministri për promovimin e librit të Mishele Obamës me titull “Të bëhesh”.
Rexhina Nano mori vëmendjen pas një kohe të gjatë që nuk shfaqej në publik, duke kujtuar edhe librin e saj “Të jetosh kohën”, libër që ishte një zbardhje e jetës së saj si ish-gruaja e Fatos Nanos.
“Gjithkush që ka lexuar librin ka kuptuar dhe ka ndjekur zhvillimet apo jetën time personale në një epokë krejt të ndryshme nga ajo e Mishele Obamës. Dua të them vetëm diçka të vogël, të thjeshtë, që secila nga ne, pavarësisht nga vendi që fati u jep në shoqëri. Secila nga ne gratë shqiptare ka shumë për të thënë dhe është një model për shoqërinë, për familjen e saj”, tha zonja Nano
Në këtë diskutim tema kryesore, nisur edhe nga vetë libri ishte çdo të thotë të jesh gruaja e një njeriu të pushtetshëm? A fshihesh pas atij modeli, apo ti je ti megjithë fuqitë dhe dobësitë e tua? Por, në këtë prezantim libri ishte edhe bashkëshortja e kryeministri Edi Rama.
“Kushdo që shkon në majë të pushtetit të zgjedhur prej popullit nuk e ka më zgjedhje do jetë një model apo nuk do jetë një model. Populli ja ka dhënë këtë lloj sfide dhe këtë lloj besimi. Problemi është se çfarë produkti do nxjerrësh nga modeli që kërkon të jesh dhe mendoj që Mishel është një grua si rock star, është një komunikuese e jashtëzakonshme me publikun, është një juriste e shkëlqyer. Unë ndaj me Edin edhe me të edhe vitin e lindjes. Ajo ka lindur në janar, Edi në korrik, unë kam lindur në dhjetor”, tha Linda Rama.
Të pranishmit diskutuan pjesë nga libri, duke dashur të sjellin kështu modelin e të bërit. Sepse gjithkush mund të jetë ajo që dëshiron të jetë, ashtu sikurse Mishel u bë Mishel Obama. Por, edhe Arlinda Dudaj botuese e librit ishte prezente, teksa deklaroi se “më pëlqen edhe sinqeriteti kur bën herë pas here krahasime. Nuk thotë jam unë. Unë u bëra Mishel, u bëra kjo që jam duke u munduar shumë, duke u stërmunduar dhe kur bën krahasimin me Barakun, thotë që ai ishte me të vërtetë një mendje e fuqishme” – mbylli fjalën e saj zonja Dudaj.