Në qoftë se fjala Covid-19 është ndoshta më e përdorura dhe e frikshmja e vitit 2020, patjetër që murtaja ka qenë ndër shekuj makthi i njerëzimit.
Pothuajse e zhdukur gjatë shekullit të XX, ajo ekziston gjithsesi, madje është raportuar gjatë dekadave të fundit edhe në Shtetet e Bashkuara në Kili ose në disa vende afrikane , por prej disa kohësh ka filluar të shfaqet gjithmonë më shpesh në disa zona të Azisë.
Pak ditë më parë autoritetet e rajonit kinez të Mongolisë, në kufi me shtetin që mban të njëjtin emër, kanë izoluar një fshat të tërë pas vdekjes të një personi pikërisht nga sëmundja vdekjeprurëse.
Murtaja ka qenë ndër shekuj një makth për njerëzimin, duke shkaktuar dhjetëra milionë viktima
Testimet e deritanishme në fshatin e quajtur Suji Xincun kanë dhënë përgjigje negative, por autoritetet vijojnë të hetojnë, nga momenti që zona ka një historik të afërt me sëmundjen.
Muajin e kaluar në të njëjtën zonë disa lokalitete turistike ishin mbyllur pas konfirmimit të një rasti tjetër, dhe perimetri i një zone të tërë ishte rrethuar, ndërkohë që në nëntorin e kaluar u regjistruan disa raste të tjera të shkaktuara nga ngrënia e disa brejtësve, siç është rasti i lepujve të egjër, që ishin konsumuar pa u pjekur mirë.