Publikimi i pagave të 690 mijë punonjësve nxori në pah një çekuilibër të madh të pagave. Madje një pjesë e madhe e tatimpaguesve deklaronin paga minimale. Për këtë arsye me urdhër të kryeministrit Edi Rama, u ngrit njësia speciale anti-informalitet e cila ka bërë një kontroll dhe identifikimin e sektorëve dhe bizneseve që nuk deklarojnë realisht të ardhurat.
Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero dha disa gjetje të analizës paraprake të 142 mijë vendeve të punës dhe mbi 10 mijë tatimpaguesve.
“33% e tatimpaguesve kanë reaguar pozitivisht duke rritur pagën e tyre për më shumë se 30% të numrit të punonjësve. 9184 Lekë është rritja mesatare e pagës për tatimpaguesit që kanë reaguar. Është ulur me 28% numri i pozicioneve të punës me pagë minimale. 5% e pozicioneve të punës kanë prezantuar ulje të nivelit të pagës”.
Shumica e subjekteve nuk i janë përgjigjur thirrjes së tatimeve. Por cilat do jenë hapat e mëtejshëm të kësaj njësie për ata tatimpagues që nuk kanë reaguar.
“Do të vijojë vlerësimi i riskut dhe kryqëzimi i informacioneve nga shumë burime. 572 tatimpagues posedojnë mjete lukse dhe 830 punonjës janë me mjete luksi, por ndërkohë rezultojnë me paga minimale. Më tej do të vijojmë me vlerësimet e informacionit që do të marrim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, por edhe institucionet të tjera”.
Sipas zv.ministres në muajin Mars do të nisin kontrollet në terren.