Bota “Rishkëlqimi” i Angela Merkel… Kancelarja gjermane, liderja botërore në luftën me Covid-19

“Rishkëlqimi” i Angela Merkel… Kancelarja gjermane, liderja botërore në luftën me Covid-19

Angela Merkel i drejtohet popullit gjerman vetëm një herë në vit me një mesazh, të regjistruar, për Vitin e Ri. Kur ajo vendosi të flasë para qytetarëve të saj për situatën e koronavirusit në muajin mars, u regjistrua rasti i parë në 15 vjet, që kancelarja ka një dalje televizive, të paplanifikuar.

Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, fjalimi i saj u shndërrua në “hit”. Angela Merkel, vajza e një pastori, me doktoraturë në kimi kuantike, prezantoi shifrat e zymta të pandemisë, duke shfaqur nota dhembshurie në zërin e saj. Ajo kujtoi origjinën nga Gjermania Lindore, fakt që e bënte më të vështirë për të, të urdhëronte izolimin e qytetarëve.

Por, sipas Merkel, ky ishte një veprim i domosdoshëm dhe kërkoi mirëkuptimin e popullit të saj. “Merkel nuk është një oratore e mirë, por qetësia që përcolli në mesazhin e saj, i dha konfidencë qytetarëve gjerman, 80-90% e tyre, menduan se Merkel mund t’ia dalë”, u shpreh Wolfgang Merkel, professor i shkencave politike në universitetin Humboldt, të Berlinit. Ai shtoi se kur njerëzit kanë pasiguri për të ardhmen, ata kanë nevojë të ndihen të mbrojtur, dhe këtë mbrojtje e presin nga qeveria. Ka qenë një transformim i vërtetë për Merkel, e cila e nisi vitin çalë. Ajo u sulmua ashpër për politikën e saj “të dyerve të hapura” për refugjatët, kosto që i mori edhe partia e saj e cila humbi me shpejtësi terren. Merkel gjithashtu kishte paralajmëruar tërheqjen e saj në vitin 2021, nuk ishte më drejtuese e Kristian Demokratëve, dhe ishin të shumta dyshimet e ngritura për shëndetin e saj fizik.

Por, kur Covid-19 pushtoi botën, dritat e reflektorëve ranë sërish mbi të. “Figura e saj u ringjall jo vetëm në Gjermani por në të gjithë botë, pasi për herë të parë në 150 vjet që bota përballet me një krizë në të tilla përmasa, njerëzit nuk i kanë sytë nga shtetet e bashkuara për të marr rolin e liderit, por nga Merkel”,  tha Andrea Romele, profesor në Herti, Berlin.

“Ajo do të mbahet mend si një menaxhere shumë e mirë krizash. E drejtoi vendin gjatë krizës globale financiare, gjatë krizës së borxhit në Eurozonë dhe gjatë asaj të refugjatëve në vitin 2015, sa herë që ka kriza duket sikur Merkel jep më të mirën e saj”, shtoi profesor Romele.

Vlerësimet personale për kancelaren janë në maksimum dhe ajo ka lënë në hije pjesën tjetër të kabinetit qeverisës të koalicionit. Ditën e mërkurë kancelarja gjermane prezantoi planin për lehtësimin gradual të masave izoluese për qytetarët, ajo tha se tashmë mund t’ia lejojnë vetës të kenë pak më tepër guxim por, duhet treguar shumë kujdes që situata mos t’u dalë nga duart. “Në këtë moment mund të themi që ia kemi arritur qëllimit për të frenuar përhapjen e koronavirusit, dhe që ia dolëm të mbrojmë sistemin tonë shëndetësor. Këto fakte bënë që sot ne të flasim e të mendojmë për masa të tjera lehtësuese. Por duhet ta them që faza e parë e pandemisë është pas nesh, por ne jemi akoma në fillim dhe do të jetë me ne për një kohë të gjatë”, tha Merkel.

Gjermania është vlerësuar për mënyrën se si vendi po menaxhon pandeminë, dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me qetësinë e fjalëve të Merkel, apo me vlerësimin maksimal ndaj lidershipit të saj, që e ka bërë të jetë në kontrast të dukshëm me krerët e tjerë botëror. Shifrat flasin vetë: niveli i vdekshmërisë në Gjermani, si pasojë e koronavirusit, mbetet relativisht i ulët, krahasuar me vende të tjera, dhe sistemi i fortë shëndetësor bëri që spitalet gjermane të pranojnë pacientë edhe nga vende të tjera europiane, që i ka vënë përfund pandemia.

Ndërsa shtetet e tjera çaluan, Gjermania u bë shembull për testimet për koronavirusin. Këto ishin gjithashtu disa prej arsyeve që forcuan popullaritetin e Merkelit. Çfarë mund të mësojë Trump nga Merkel, mbi menaxhimin e Ccovid-19? “Ndërsa kancelarja gjermane u duk se e kuptoi herët rrezikun e kësaj pandemie, liderët e SHBA apo Britanisë, para opinionit publik u shfaqën sikur kjo nuk ishte diçka e madhe, dhe ne pamë këta politikanët “maço” të thoshin që ishte çdo gjë në rregull, dhe do ta kalonin edhe këtë”, tha Wolfgang Merkel, politolog.

Një tjetër profesor, i shkencave politike, Gero Neugebauer, tha se arsimimi shkencor i kancelares, ndihmoi atë të peshonte mirë situatën, e njëkohësisht të ishte e besueshme. Fakti që kancelarja gjermane ka paralajmëruar dorëheqjen e saj vitin e ardhshëm, ja shmang presionin me të cilin përballen presidenti amerikan Trump, ai francez Macron, apo kryeministri britanik Boris Johnson, të cilët me gjithë gjasat, do të luftojnë për tu rizgjedhur në të ardhmen.

Ajo e ka marr rrugën e saj për të dalë nga politika, ky fakt e vë në kushtet që të bëjë rolin e nënës së kujdesshme, që qëndron mbi argumentet dhe mosmarrëveshjet për popullin e saj, shtoi profesor Negebauer. Sipas tij, edhe pse kohët e fundit janë ringritur pyetjet nëse Merkel do të rikandidojë për një mandat të pestë, qeverisës, ajo  ka eksperiencë mjaftueshëm për të ditur që s’do të ketë mbështetjen e partisë, pasi Kristian Demokratët janë të ndarë.

Burimi: A2 CNN