Sport Risitë e listës për Nations League, Reja: Objektivi, të fitojmë grupin

Risitë e listës për Nations League, Reja: Objektivi, të fitojmë grupin

Trajneri Edy Reja ka thirrur 28 futbollistë për ndeshjet e vlefshme për Nations League që do të zhvillohen në Shtator përballë Bjellorusisë dhe Lituanisë.

Gjatë konferencës për shtyp, italiani deklaroi se objektivi është vendi i parë në grup. Megjithatë, kjo për Rejën ka për t’u varur shumë nga forma me të cilën do të vijnë futbollistët.

“Objektivi jonë është të fitojmë grupin. Kemi folur me Dukën për këtë çështje. Duhet të zbresim në fushë me këtë objektiv. Kemi një skuadër të mirë, por duhet të punojmë në aspektin psikologjik. Shqipëria ka një skuadër që mund të përballet me çdo rival. Duhet të punojmë shumë dhe shpresoj që lojtarët të vijnë në formën e duhur. Kam folur me Hysajn që ka bërë disa ndeshje. Kam folur me Gjimshitin që ka luajtur në Champions dhe ka qenë i stërlodhur. Shpresoj që lojtarët të jenë në formën e tyre më të mirë. Në disa vende ka nisur kampionati. Duam të marrim vendin e parë në grup”, tha Reja.

“Lista është e madhe sepse ne nuk e dimë si do të vijnë lojtarët këtu. Do të bëhen teste. Nëse lojtarët do të kenë probleme do të bëhet ndryshimi i listës përpara se të nisemi për në Bjellorusi”, tha Reja gjatë konferencës për shtyp.

Trajneri italian deklaroi se momenti kur luhen këto ndeshje është anormale për shkak të pandemisë. Dhe në një situatë të tillë, Reja nuk bën dot një parashikim se si do të reagojë skuadra.

Megjithatë u shpreh që shpreson që t’i gjejë lojtarët në formë pasi një fitore në ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë do t’u japë entuziazmin e duhur për të vazhduar më tej.

“Nuk dimë se çfarë do të ndodhë, nuk dimë se si do të reagoje skuadra. Jemi në kushte anormale. Nuk e di se si do të jetë futbolli pa publik, me masa shëndetësore. Askush nuk e di, askush nuk e ka përjetuar më parë. Uroj t’i gjej lojtarët në formë. Duhet të bëjmë kujdes lojën e parë. Nëse bëjmë nisje të mirë do të jetë mirë, do të ketë entuziazëm”, tha Reja.

Nuk ka surpriza nga Reja sa i përket ftesave për portën. Berisha, Strakosha dhe Hoxha janë të besuarit e Rejës për të mbrojtur katërkëndëshin.

Në mbrojtje, trajneri ka ardhur me risi. Ramën Çepele është një emër që ngjitet në skuadrën A të kombëtares. I riu luan me të rinjtë e Inter dhe është vetëm 17 vjeç. Mesa duket, Reja ka menduar emrin e 17-vjeçarit pas tërheqjes së Mërgim Mavrajt.

Ismajli, Mihaj, Dermaku, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli, Hysaj, Memolla e Trashi janë lojtarët e tjerë të thirrur për prapavijën.

Në mesfushë nuk ka shumë surpriza. Lenjani, Gjasula, Ramadani, Abrashi, Bare, Selahi, Roshi, Uzuni dhe i riu Qzim Laçi kanë marrë nga një ftesë nga Edy Reja.

Në sulm ka sërish risi. Me kombëtaren A do të stërviten Balaj, Manaj, Sadiku e Cikalleshi. Përkrah tyre do të jenë dy të rinjtë, Armando Broja dhe Florian Kamberi.

Shqipëria do ta luajë ndeshjen e parë të Nations League më 4 Shtator kundër Bjellorusisë në transfertë. Më 7 Shtator kombëtarja kthehet në atdhe për të luajtur ndaj Lituanisë.