Mungesa e Kosovës në hartë ka revoltuar gjithashtu këngëtaren shqiptare Rita Ora, e cila i ka bërë një thirrje publike kompanisë “Apple”.
Pas Dua Lipës, edhe Rita ka kërkuar që vendi i saj të marrë territorin që i takon në hartë.
Ajo shprehet se ka plot talente shqiptarë që prezantojnë trashëgiminë e vendit të tyre në botë, ndaj bën thirrje që vendosja e Kosovës në hartë të bëhet sa më parë. Mes talenteve ajo përmend Dafina Zeqirin, Ava Max, Bebe Rexhën, Era Istrefin dhe ajo që na habiti të gjithve Dua Lipën.
“Do doja të shihja @apple të ndërgjegjësohej duke vendosur Kosovën në hartë. Shqipëria dhe Kosova kanë kaq shumë talente dhe une jam krenare për të gjitha vajzat e forta dhe të talentuara që prezantojnë trashëgiminë tonë. Duke shpërndarë dashuri, paqe, bashkim sot me @beberexha, @dualipa, @eraistrefi, @dafina.zeqiri, @avamax dhe shumë të tjerë.”-shkruan Rita.
Mirëpo, si duket as kjo çështje nuk ia ka zbutur inatin Duas, pasi nuk ka reaguar në postimin e Ritës, as duke e komentuar e as duke e pëlqyer, siç kanë bërë vajzat e tjera. Ndonëse Duas ka qenë aktive në Instagram, ku ka postuar një video, nuk ka ende një reagim zyrtar të sajin në postimin e Ritës.
Nuk e dimë nëse vajzat e kanë kontaktuar njëra-tjetrën në privat, por ende nuk e ndjekin njëra-tjetrën. Nuk dihet nëse Dua do reagojë në të ardhmen.
Kujtojmë se në media thuhet se Dua dhe Rita nuk gëzojnë marrëdhënie të mira dhe kjo është parë nga fakti se ndonëse vijnë nga i njëjti vend dhe kanë korrur mjaft sukses nuk e mbështesin njëra-tjetrën dhe s’i kemi parë kurrë bashkë.
Sipas asaj që raportohet, shkak është bërë mungesa e mbështetjes nga Rita për Duan kur kjo e fundit ishte në fillim të karrierës dhe tashmë që ka kapur majat autorja e hitit “New Rules” nuk ia fal këtë gjë.