Shënjestra e radhës e Operacionit “Forca e Ligjit” është Saimir Taullahu nga qyteti i Lushnjes, si edhe Arben Isufaj, por që të gjithë e njohin me pseudonimin “Ben Qimja”.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL ka kërkuar që ky shtetas të vetëdeklarojë burimin e pasurisë.
Saimir Taullahu, sipas Policisë së Shtetit është i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai duhet të përgjigjet me shkrim për 48 orë.
Taullahu është një personazh i njohur për drejtësinë dhe policinë e shtetit, pasi veç akuzave për trafik të lëndëve narkotike, konsiderohet edhe si rival i bandës famëkeqe të Aldo Bares. Kjo bandë ka ekzekutuar vëllain e tij, Baki Taullahun vite më parë në qytetin e Lushnjes.
Edhe Saimir Taullahun kanë tentuar në dy raste ta vrasin, por ai ka arritur t’i shpëtojë dy atentateve.
Arben Isufaj, thotë komunikata e OFL, është nën hetim në Itali, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Për këtë arsye “Forca e Ligjit” i ka nisur kërkesën me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë dhe “Ben Qimja” ka 48 orë kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve te OFL-së.
Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. “Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda”, thuhet në komunikatën e OFL.
Deri tani në sitën e OFL-së kanë kaluar personazhe si Çapjat dhe Suel Çela në Elbasan, Altin Hajri në Shijak, Lul Berisha dhe Plaurent Dervishaj në Durrës, si dhe fiset Doçi dhe Bajri në Shkodër.