Gideon Rachman – Financial Times
Kjo është java kur Boris Johnson ka mbledhur gjithë liderët e botës, për të diskutuar marrjen e masave kundër ndryshimit të klimës. Por kryeministri britanik çeli samitin COP26 në Glasgou i tronditur nga një mosmarrëveshje e ashpër me Francën rreth çështjes së peshkimit.
Rivaliteti midis Britanisë së Madhe dhe Francës, po shndërrohet një problem serioz ndërkombëtar. Samiti i G7 në qershor të këtij viti, u zhvillua në sfondin e një grindjeje tjetër franko-britanike, në atë kohë për procedurat kufitare për Irlandën e Veriut.
Çdo mosmarrëveshje sado e vogël midis dy vendeve duket se përshkallëzohet shumë shpejt në një shkëmbim kërcënimesh dhe fyerjesh. Problemi themelor nuk është as çështja e peshkimit dhe as Irlanda e Veriut. Problemi kryesor është Brexit. E thënë më fjalë të thjeshta, Johnson-it i duhet që të ketë sukses, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, kërkon që ai të dështojë.
Një letër e zbuluar së fundmi nga mediat e kryeministrit francez Jean Castex drejtuar Komisionit Europian, tregonte se është e rëndësishme t’i tregohet opinionit publik europian, se kostot e largimit nga Bashkimit Europian, janë më të mëdha sesa ato të qëndrimit në union.
Britanikët e kanë shfrytëzuar këtë zbulim, si një provë se Parisi po kërkon që ta ndëshkojë Britaninë për Brexit-in, daljen nga unioni. Francezët pretendojnë se ky është një keq-interpretim i qëllimshëm, dhe se gjithçka është produkt i vullnetit të qeverisë britanike për t’i bërë letrës keq-interpretimin më të keq të mundshëm.
Edhe pse Johnson ndihet shumë mirë pas një konference të suksesshme të Partisë Konservatore, sondazhet tregojnë se publiku britanik po pajtohet gradualisht me pikëpamjen se Brexit ishte një gabim. Në përgjigje të pyetjes “Në këndvështrim tuaj, a mendoni se Britania pati të drejtë apo gabim që u largua nga Bashkimi Europian”, 49% u përgjigjën gabim dhe vetëm 38% e quajtën të drejtë këtë lëvizje.
Një tjetër sondazh i fundit, tregoi se 53% besojnë se Brexit ka sjellë rritjen e ndjeshme të çmimeve në vend. Këto ndryshime në opinionin publik, mund të sjellin telashe serioze për Johnson, sidomos nëse inflacioni dhe mungesat e produkteve në tregje përkeqësohen gjatë dimrit.
Kjo e bën shumë joshëse një përplasje me Emmanuel Macron. Nëse francezët kërcënojnë të ngadalësojnë trafikun e mallrave britanike përmes porteve të Kanalit të La Manshit, çdo mungesë e mëvonshme në tregje mund të shpjegohet me hakmarrjen e Francës dhe jo me defektet e natyrshme të Brexit.
Ndërkaq, duket se qeveria britanike po përgatitet të bëjë ndryshime të njëanshme në protokollin e Irlandës së Veriut, që ishte pjesë e marrëveshjes mbi Brexit. Një përplasje me Francën, mund t’i japë mundësi Johnson-it të pretendojë se këto ndryshime janë më shumë një kundërpërgjigje ndaj sjelljet armiqësore të Francës, sesa një akt dashakeq nga Britania.
Ashtu si Johnson, edhe Macron gjendet nën një presion të fortë politik. Ai përballet prillin e vitit të ardhshëm me zgjedhjet presidenciale. Eric Zemmour, ylli në rritje i së djathtës ekstreme, ka këmbëngulur vazhdimisht se “anglezët e fituan betejën e Brexit”. Macron duhet që ta rrëzojë këtë ide.
Nënshkrimi i AUKUS – një pakt sigurie i negociuar fshehtazi midis Australisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA- ishte një goditje e rëndë për Francën. Një zyrtar amerikan shprehet: “Franca besonte se Brexit e kishte bërë Britaninë të parëndësishme, se ne do ta anashkalonim Londrën. Pastaj ata zbuluan se ne kishim arritur një marrëveshje të fshehtë me britanikët, pas shpinës së tyre”.
Zemërimi i Francës u bë dhe më i madh nga humbja e një kontrate të majme me Australinë në fushën e mbrojtjes. Presioni nën të cilin ndodhet qeveria Macron reflektohet në tonet paksa histerike të komunikimeve të fundit. Clément Beaune, Ministri francez për Europën, deklaroi se forca është e vetmja gjuhë që kuptojnë britanikët.
Është e qartë se duhet bërë diçka për të ulur këto tensione, në një mënyrë të tillë që ato të mos zgjasin më shumë sesa disa javë. Ben Judah i think-tankut “Atlantic Council”, që ka shtetësi të dyfishtë francezo-britanike, sugjeron që të dyja vendet të krijojnë një komitet të përbashkët me personalitetet më të njohura për të punuar mbi një plan për pajtimin midis palëve.
Në një botë ideale, një nismë e tillë mund t‘i hapë rrugën një “Entente Cordiale”, si marrëveshja e vitit 1904, që i dha fund një raundi të mëparshëm të rivalitetit britaniko-francez. Por as Londra dhe as Parisi, nuk duken të gatshme për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet midis tyre.
Peter Ricketts, ish-ambasador i Britanisë në Paris, parashikon se do të duhen edhe disa vite të tjera, përpara se marrëdhëniet të përmirësohen ndjeshëm. Por aleanca perëndimore nuk ka luksin të presë. “Helmi” aktual midis Britanisë së Madhe dhe Francës, mund të përhapet dhe të infektojë NATO-n, G7 dhe negociatat ndërkombëtare për gjithçka, nga ndryshimi i klimës deri tek tregtia.
Po ashtu fërkimet Britani-Francë, do ta vështirësojnë arritjen e pozicioneve të përbashkëta perëndimore në mosmarrëveshjet me Kinën dhe Rusinë. Thomas Wright i Institutit Brookings, shpreh shqetësimin e tij se Britania dhe Franca rrezikojnë që të shndërrohen në “Japoninë dhe Korenë e Jugut të Evropës”- dy aleatë të ngushtë të Amerikës në Azi, por që janë rivalë të hidhur midis tyre.
Në Azi, SHBA-të janë përpjekur jo pak që të ndërtojnë ura bashkëpunimi midis Tokios dhe Seulit. Tani mund të ketë ardhur koha që Uashingtoni të luajë të njëjtin rol edhe midis Londrës dhe Parisit. Amerikanët duhet që t’u japin fund iluzioneve të gabuara nga të dyja palët.
Britanikët duhet të kuptojnë se SHBA-ja e sheh BE-në si një partnere vendimtare, dhe nuk do ta nënçmojnë Brukselin në favor të “Anglosferës”. Nga ana e tyre francezët duhet ta pranojnë se SHBA-së i duhet që të ketë sukses Britania pas-Brexit, dhe nuk do ta trajtojë asnjëherë atë si një shtet mashtrues.
Aftësia e Amerikës për të luajtur rolin e ndërmjetësit të ndershëm, ndërlikohet jo pak nga AUKUS. Por Biden duket vërtet i penduar për shpërfilljen e Francës, dhe ka lëvizur shpejt për t’i rregulluar gjërat. Fakti që Macron dhe Johnson e vlerësojnë shumë marrëdhënien e tyre të ngushtë me Biden, i jep SHBA-së një mundësi për të manovruar në këtë fushë.
Amerikanët duhet të përpiqen të bindin britanikët dhe francezët, që të heqin dorë nga kërcënimet e tyre më të çuditshme, dhe të punojnë së bashku për interesat e tyre dhe të Perëndimit në përgjithësi.