Aida Greco është një stiliste e suksesshme që jetonte në një qytet metropolitan europian, ku kishte hapur edhe atelienë e modës.
Me vdekjen e babait të saj, asaj i duhet të përballet me origjinën (që e kishte lënë në harresë), të kthehet në fshatin ku lindi, në kufirin mes Kalabrisë dhe Bazilikatës, ku janë të ulura këmbëkryq gjuha dhe tradita e komunitetit arbëresh.
Aida do të rizbulojë përkatësinë e saj ndaj këtij populli, duke e mirëpritur ndjenjën e turpit që ndjente për përkatësinë e saj dhe e shndërron atë në diçka që ndoshta mund ta ndihmojë të kuptojë veten.
Historia e komunitetit arbëresh dhe lidhja e fortë me origjinën vjen e shpërfaqur artistikisht në filmin “Arbëria”, i cili do të shfaqet më 23 dhjetor në platformën “Netflix”.
Regjisorja Francesca Olivieri thotë për Gazetasi.al se në tërësi filmi është një ballafaqim brezash tërësisht femëror, i cili do ta lejojë protagonisten Aida të përballet me distancën e krijuar ndër vite mes vetes dhe komunitetit, të cilit i përket.
“Tema e Arbërisë është rizbulimi i origjinës së saj, në këtë rast të përjetuar nga një grua, Aida, e cila për një kohë të gjatë kishte turp nga përkatësia e saj në komunitetin arbëresh të një fshati që ndodhet në jug të Italisë, në kufirin midis Kalabrisë dhe Bazilikatës”, shprehet regjisorja për Gazetasi.al.
Subjekti i filmit është udhëtimi që Aida bën në këtë tokë, pas humbjes së babait të saj. Kthimi në atdhe do ta përballë atë me përdorimin e gjuhës amtare – të cilën duket se e ka harruar dhe do ta shoqërojë gjendja e ankthit.
Ndërkohë, vëllai i saj, Ascanio, sjell anën tjetër të medaljes, i cili përkundrazi ka jetuar gjithmonë në Arbëri dhe nuk ka pasur kurrë turp për komunitetin e tij. Vajza e Ascanio-s, Lucia, përfaqëson të gjitha cilësitë pozitive që Aida sheh tek arbëreshët: një lidhje të fortë me tokën dhe traditat e tyre.
Mesazhi i gjithë filmit sipas regjisores është të vlerësohen minoritetet dhe kultura e tyre, sidomos gjuha, e cila nuk duhet lënë në harresë.
“Origjina nga vijmë, nuk është kurrë diçka që duhet ta fshehim, për të cilën duhet të kemi turp. Fatkeqësisht, pakicat gjuhësore kanë pësuar dhe po pësojnë një rënie të kulturës së tyre dhe kjo është një dobësim i qytetërimit tonë, të cilin ndonjëherë e dëshmojmë në mënyrë pasive”, vijon regjisorja për Gazetasi.al.
Sipas regjisores, ky film synon të vërë në pah ekzistencën e këtij komuniteti që gjatë shekujve ka mundur të mbajë gjallë traditat e forta, veçanërisht falë grave arbëreshe, të cilat në këto komunitete të Italisë së Jugut janë rojet e vërteta të riteve dhe zakoneve.
“Për mua është e rëndësishme që historia arbëreshe të njihet sepse është paradigma e shumë minoriteteve. ‘Në të gjithë botën gjaku ynë derdhet’ është një frazë që citova në film, sepse e di që shumë arbëreshë identifikohen në këtë formulë”, thekson Olivieri për Gazetasi.al, ndërsa shton se “në këtë komunitet pjesë e të cilit jam edhe unë, për shkak të origjinës sime, ndjenja e përkatësisë është një ndjenjë e fortë, e cila nuk duhet të shoqërohet me nacionalizma vulgarë, por me vullnetin për të qenë dëshmitarë të historisë”.
Filmi “Arbëria” na ndërmend rezistencën e një diversiteti, që është edhe pasuria kulturore e një populli dhe na kthen edhe njëherë në vëmendje se sa të rëndësishme janë rrënjët dhe përkatësia jonë në një komunitet…
Burimi: Gazeta Si