Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, i cili u ekzekutua me armë zjarri në Athinë, dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes më 15 mars në Larushk të Fushë-Krujës.
Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj (Brahimi), rezulton të ketë lidhje familjare me të, konkretishti kunat me Roan Brahimin. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë së Tiranës në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, e po ashtu dyshohen të përfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë, raporton Tv Klan.
Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizatorë, për të goditur grupet rivale që i shihnin si rrezik për sigurinë e tyre. Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora.
Kujtojmë se Brahimi u ekzekutua në kryeqytetin grek më 9 Maj 2024. Ai u qëllua në sy të partneres dhe djalit të tij të vogël nga dy persona të maskuar të cilët me motorin e tyre iu afruan 32 vjeçarit që po priste familjarët në makinë.
32-vjeçari i cili njihej edhe me emrin Sidorel Prendi ka qenë një personazh i lakuar në disa ngjarje të rënda kriminale në qarkun e Lezhës por jo vetëm.
3 vite më parë ai u shpall në kërkim nga policia pasi dyshohej se së bashku me 2 persona të tjerë, mes të cilëve Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozin, mësynë të armatosur në ambientet e një lokali në Lezhë.