Politika ka përçarë artistët si asnjëherë dhe këtë gjë e dëshmon edhe kjo replikë e fundit mes aktorit të madh Robert Ndrenika dhe regjisorit Edmond Budina.
I pyetur mbi pjesëmarrjen e tij dhe të aktores tjetër Tinka Kurti në reklamat elektorale të PS-së, Budina e quajti të turpshme këtë gjë duke ironizuar se “mund të kenë pasur halle të mëdha”.
Ndërsa, aktori Robert Ndrenika, në një status në faqen e tij në Facebook, shkruan se Budina në teatër është katapultuar si zv. Sekretar partie. Po kështu me jo pak ironi, Ndrenika shkruan se Budina i përqafoi shpejt proceset demokratike dhe gjeti të vishte një pardesy të bardhë pasi deri në atë kohë mbante veshur një golf të zi e të palarë.
Çfarë tha Edmond Budina: “Unë nuk dënoj asnjë që ka bindje të caktuara politike. Është e drejtë e çdo individi të bëjë zgjedhjen e tij por njeriu duhet të ketë një lloj koherence. Unë asnjëherë nuk kam thënë që do të shtrihem para teatrit, apo do vërvitem në varr nëse teatri shembet. Për mua është e pakonceptueshme që si artistët, të mos pranojë idenë e ruajtje se teatrit dhe ndërtimit të një të riu diku tjetër. nuk e konceptoj dot si mundet të biesh dakord me një shtet e një qeveri që dhunon koleget dhe e shemb teatrin me kolegët e tu brenda. Është jashtë mendjes të mos të të dhimbset që rruspa i bie teatrit me kostumet varur. Dhe të mos thuash asnjë llaf. Çfarëdo interesi të kesh! Për mua është e turpshme. Megjithatë, unë as i kam gjykuar as nuk i marr nëpër gojë. Unë kam qenë ky që jam. Unë nganjëherë iu qaj edhe hallin se mund të kenë edhe halle shumë të mëdha. Secili bën zgjedhjen e vet, nuk i vë në kryq, por koherenca vlen në këtë botë”.
Robert Ndrenika përgjigjet: “Lavdi Perëndisë që jam ende gjallë… Ky Edmondi B…(udina) në teatër u katapultua zv sekretar partije dhe i thoshte org.bazë (çerdhja e gjarpërinjëve) kujdes nga Ndrenika se është reaksionar…por faleminderit se në stërvitje ushtarake më lejonte vetëm pushkë druri (që ishte shumë më e lehtë) po për “hir të s’vërtetës” përqafoi shpejt proceset demokratike dhe se nga gjeti një pardesy të bardhë se deri në atë kohë mbante një golf leshi të zi dhe të pa larë”!!!”
Përfshirja në spotin e PS të Robert Ndrenikës dhe Tinka Kurtit u shoqërua me sulme nga disa kolegë të tyre që njihen si mbështetës të opozitës.