Agores së Teatrit iu bashkua mbrëmjen e djeshme edhe aktori i mirënjohur Guljelm Radoja, i cili tregoi se edhe pse jetonte në Durrës e s’mund të ishte gjithmonë i pranishëm, është gjithmonë në mbështetje të kauzës.
“E kam thënë dhe më parë, ky vend nuk është i yni, ky vend është i juaji. Nuk do të fitojnë ata, do të fitojë qytetaria. Do të fitojë ai spektator, ai qytetar që e do artin”. Aktori u shpreh se, edhe pse disa media po përpiqen të manipulojnë opinionin, duke e konsideruar atë që ndodh si turpin e qytetarëve, e vërteta është tjetër.
“Turpi është i atyre që e bënë, këtë e tregon dhe vetë fakti që u zbythën”. Radoja u bëri thirrje artistëve që kauza e Teatrit të mos politizohet, edhe pse ishte pro mbështetjes së partive politike. Ai rrëfeu se ndonëse ka qenë një nga nismëtarët e krijimit të PD-së, zgjodhi rrugën e artit. “Duke e parë veten në pasqyrë, thashë se unë nuk jam për politikë. Bota ime shkon atje ku shkon, por nuk më pëlqen që ne të bëhemi kukull e cilësdo aleancë apo parti. Teatri është i depolitizuar, teatri është i qytetarëve. Nuk di shumë për paktin, por ai i gjati dhe ca të shkurtër të tjerë bënë atë që ne na përçanë dhe 90 për qind dolën të majtë dhe ca koka të djathë. Ia arritën qëllimit”.
Për sa i përket natyrës së brishtë të artistëve, ndonjëherë edhe të manipulueshme, Radoja iu drejtua Ndrenikës për tërheqjen e tij të papritur nga kauza e Teatrit. “Një nga kolegët e mi i tha dikujt se ‘unë shkela mbi dinjitetin tim’. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjtioz qeshë dje. Pse isha qesharak dje dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin, që shkele mbi dinjitetin?”- tha aktori.
Radoja iu drejtua kolegut të tij, i cili qe një nga nismëtarët dhe figurat simbol të mbrojtjes së Teatrit deri në ditët e fundit të korrikut. Asokohe, së bashku me kolegë si Arben Derhemi apo Alfred Trebicka, ranë dakord për ndërtimin e një teatri të ri, po në këtë hapësirë, me kushtin se nuk do të prekej asnjë centimetër tokë.
Reagimi i Ndrenikës
Në lidhje me deklaratën e kolegut të tij, “Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika.
Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet: Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi Ndrenika. Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.
Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri./Panorama