“Kisha menduar të bëja një kukull prej druri me duart e mia”, thotë Geppetto (Baba Karlo) i interpretuar nga Roberto Benigni në fillim të trajlerit të Pinokut, filmit të shumëpritur të Matteo Garrones, i cili prej 19 dhjetorit vjen nëpër kinematë europiane.
Filmi është një bashkëprodhim ndërkombëtar italo-francez dhe është xhiruar tërësisht në Itali, në zonën e Lacios, Toskanës dhe Puljas. Xhirimet nisën në muajt e parë të këtij viti. Garrone është shprehur se të xhirosh Pinocchion dhe të kesh protagonist Benignin, janë dy ëndrra që i realizohen në të njëjtin film.
Personazhet dhe krijesat fantastike do të realizohen nën kujdesit e Marc Coulier, montazhierit të talentuar dhe fitues të dy çmimeve “Oscar”.
Protagonistët e përrallës së Collodit kësaj radhe janë nga Pinoku i luajtur nga i riu Federico Ielapi te Mangiafuoco i luajtur nga Gigi Proietti, deri te Massimo Ceccherini dhe Rocco Papaleo në rolet e Maces dhe Dhelprës.
“Është një projekt që e kam ndjekur për kaq shumë vite, e kam shkruar skenarin e parë të tregimit kur isha vetëm gjashtë vjeç”, shpjegoi Garrone.
“Lindi si histori për fëmijë, por ka për qëllim edhe të rriturit. Dhe ne u përpoqëm të bënim një film që tanimë erdhi për të gjithë”, thotë ai.
Në qendër të gjithë fabulës është Pinoku, një kukull druri, që çuditërisht mund të flasë. Ai mbetet prej druri për një kohë të gjatë me aventura shkaktuar nga paaftësia e tij për të mbajtur premtimet, derisa më në fund mëson të dojë të atin dhe miqtë dhe të kthehet në djalë të vërtetë.
Pavarësisht se lodrat e sotme janë shumë të ndryshme nga ato të përshkruara në librin e Carlo Collodit, temat e trajtuara nga ai mbeten të përjetshme.