Një punëtor i ri ka disa muaj që punon në kantierin e terminalit të ri të aeroportit të San Franciskos: quhet ”Canvas” dhe është një robot i sofistikuar i aftë të vendosë mure kartoni gipsi me të njëjtën aftësi si mjeshtri më i mirë, shkruan revista italiane Focus.
Makina ka përmasat e një lavatriçeje të madhe dhe është e pajisur me një krah të gjatë mekanik me të cilin manipulon veglat e ndryshme. Një sistem vizioni me lazer i lejon robotit të identifikojë saktë zonat në të cilat duhet të ndërhyjë dhe të montojë kartonin e gipsit në pozicionet e duhura.
”Canvas” nuk është ende plotësisht autonom dhe puna e tij duhet të mbikëqyret nga një operator njerëzor, i cili ndër të tjera kujdeset për ndryshimin e veglave të përdorura nga makina. Por në ekzekutimin e punës Canvas bën gjithçka vetë: ngren, aplikon, lëviz.
Dhe kjo do të thotë që partneri i tij i vërtetë nuk duhet të jetë ekspert në përfundimin e mureve, por një asistent i thjeshtë që kontrollon funksionimin e tyre.
Një radar i ngjashëm me atë të makinave autonome lejon Canvas të lëvizë nëpër kantierin e ndërtimit, duke shmangur pengesat dhe njerëzit. Hapi tjetër do të jetë pajisja e Canvas me aftësinë për të lyer muret që ka ndërtuar.
Krahasuar me mjeshtrit njerëz, Canvas është më i shpejtë dhe mund të punojë pa ndërprerje 24/7. A do të jetë pra një kërcënim tjetër për mijëra punëtorë? Sipas ekspertëve, jo.
Pak ditë më parë MIT publikoi raportin e ri për të ardhmen e punës që hedh poshtë të gjitha hulumtimet sipas të cilave robotët në vitet e ardhshme do të paraqesin problem për punësim.
Ajo që po shohim, nuk është një revolucion robotik, por një evolucion i ngjashëm me atë që ka karakterizuar botën e punës në 80 vitet e fundit, vetëm më shpejt.
”Në vitin 1940, në fakt, 63% e profesioneve aktuale nuk ekzistonin. Pra, ndërsa teknologjia ka zhvendosur shumë punëtorë, ajo gjithashtu ka krijuar vende të shumta pune gjatë së njëjtës periudhë”, shpjegojnë studiuesit.