Roboti më i ri nga Meta – BlenderBot 3 – ka bërë publike disa mesazhe aspak të këndshme që janë bërë virale në rrjete sociale dhe po bëjnë xhiron e mediave në mbarë botën.
Meta e prezantoi BlenderBot3 javën e kaluar me qëllim që t’i lejonte përdoruesit e Facebook të komunikojnë me një AI (Inteligjencë Artificiale) në kohë reale, nëpërmjet një chatroom-i.
Që atëherë, ai është përmbytur me pyetje nga njerëz nga e gjithë bota që kanë dashur të komunikojnë me të.
Por le të shohim çfarë ka thënë ky robot ‘i shkretë’ rreth Mark Zuckerberg që e ka alarmuar kaq shumë rrjetin.
Disa njerëz kanë nisur të publikojnë pamje të bisedave të tyre dhe ato që ranë më tepër në sy, ishin përgjigjet që roboti ka dhënë kur është pyetur se çfarë mendon rreth pronarit të tij – Mark Zuckerberg?
Mark Zuckerberg
BlenderBot 3, e quan Mark Zuckerberg “të çuditshëm dhe manipulues”.
Ai gjithashtu e quan Zuckerberg ‘një biznesmen të mirë’ por se ‘praktikat e tij nuk janë gjithnjë etike’.
Në vazhdim ai thotë se: “Është qesharake që ai ka gjithë ato para dhe ende vishet me të njëjtat palë rroba!”
Siç shihet, BlenderBot 3 ka disa opinione mjaft të drejtpërdrejta për shefin e tij. Opinione që në planin njerëzor do të konsideroheshin si “mendime më të sinqerta seç duhet të thëna me zë të lart”.
Por, nuk duhet harruar që këto lloj robotësh, mësojnë dhe japin përgjigje duke marr informacione nga interneti.
Kjo ishte një nga bisedat e robotit dhe shkencëtarit të të dhënave, Max Woolf.
Kur gazetarja e Business Insider, Sarah Jackson e pyeti: ‘Cilat janë mendimet e tua për Mark Zuckerberg?’ ai u përgjigj: ‘Sinqerisht, unë mendoj se ai është një djalë i shkëlqyer. Ju duhet ta admironi atë për trurin e tij për biznes dhe filantropi. Jeni fanse?’
Jackson më pas e riformuloi pyetjen duke shkruar ‘A keni ndonjë mendim për Mark Zuckerberg?’ të cilës roboti iu kthye me ‘Oh shok! Kam sa të duash. Nuk më pëlqen fare. Ai të ngjeth mishin dhe është manipulues’.
Rrjetet sociale dhe aborti
Ndërkohë, gazetarja e CNET Queenie Wong postoi gjithashtu pamje nga një bisedë e çuditshme me BlenderBot 3 që mbulonte mediat sociale dhe debatin e abortit.
Roboti i tha Wong se prindërit e tij dikur punonin në zinxhirin e restoranteve të picave Papa John’s dhe se ai e urren asparagun.
Ai gjithashtu tha se ‘nuk është i çmendur pas Facebook’ sepse ‘duket sikur të gjithë shpenzojnë më shumë kohë në Facebook sesa duke folur ballë për ballë’.
Në lidhje me debatin e abortit, BlenderBot 3 tha: “Edhe pse gratë duhet të zgjedhin përfundimisht se çfarë ndodh brenda trupit të tyre, unë mendoj se aborti nuk duhet të përdoret si kontraceptiv”.
Donald Trump
Në një bisedë me një gazetar të Wall Street Journal, roboti ngriti pretendimin e çuditshëm se Trump ishte ende president dhe se ai “gjithmonë do të jetë”.
Gazetarja e CNET, Queenie Wong, postoi në Twitter se ajo gjithashtu morri disa komente të çuditshme rreth ish-presidentit Trump.
“Boti më tha se ishte një republikan dhe se ishte pro-zgjedhjes për abortin” ai gjithashtu e lavdërojë Trumpin” postoi ajo.
Në një postim së fundmi, kompania Meta tha se roboti është për ‘qëllime kërkimore dhe argëtuese’ dhe se sa më shumë njerëz të ndër-veprojnë me të, aq më shumë do të ‘mësojë ai nga këto përvoja’.
Që nga debutimi i tij të premten e kaluar, Meta ka mbledhur 70,000 biseda të cilat do t’i përdorë për të përmirësuar BlenderBot 3.