Zjarret në ishullin Rodhos mbetet ende jashtë kontrollit për të gjashtën ditë. Zjarrfikësit po luftojnë në tre fronte. Kritike mbetet situata në zonën Kiotari dhe në jugperëndim. Pamjet nga ishulli Rodhos janë tronditëse.
Erërat e forta po e vështirësojnë betejën e zjarrfikësve për lokalizuar flakët. Zjarret kanë arritur fshatin Laerma, duke djegur shtëpi dhe një kishë, ndërsa shumë hotele janë dëmtuar nga flakët të cilat kanë arritur deri në breg. Fluturimet janë anuluar në të gjithë Rodhosin për shkak të zjarreve.
Në kushte veçanërisht të vështira, ka përfunduar evakuimi paraprak i vendbanimeve të kërcënuara nga zjarri i madh. Operacioni u krye në kushte të pafavorshme, pasi flakët i kalonin 5 metra lartësi.
Sipas vlerësimeve të para të policisë, janë evakuuar rreth 19 mijë persona. 16,000 u transportuan në rrugë tokësore dhe 3,000 nga deti. Ky është operacioni më i madh i këtij lloji që ka ndodhur ndonjëherë në vend. Nuk raportohet për të lënduar. 10 avionë dhe pesë helikopterë 7 grekë, 1 kroat dhe 2 turq, si dhe 266 zjarrfikës të ndarë në 16 ekipe dhe 49 mjete ujore u vendosën në dispozicion për të evakuuar banorët vendas si dhe turistët.
Gjashtë persona me probleme shëndetësorë janë transferuar në spitale. Hapësira të sigurta për strehimin e përkohshëm të të evakuuarve janë krijuar në hotele, qendra konferencash, objekte sportive, shkolla dhe hapësira publike. Përveç kësaj, njerëzit që strehohen në këto objekte janë furnizuar me ushqim, ujë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
Greqia po përballet me temperatura ekstreme këtë fundjavë dhe meteorologët kanë paralajmëruar se termometri do të ngrihet deri në 45 gradë Celsius. Në rrezik nga zjarret janë gjithashtu edhe Epir, Greqia Qendrore, Trakia, Egjeu Verior dhe Jugor, Thesalia, si dhe Ishujt Jon. Autoritetet po paralajmërojnë për një rrezik shumë të lartë nga zjarret pasi nxehtësia vazhdon të rritet.