Një roje sigurie në një galeri arti në Rusi është akuzuar se ka shkatërruar që në ditën e parë të punës një pikturë të epokës sovjetike, që sot përllogaritet se vlen në rreth 1.4 mln dollarë.
Krimi u zbulua gjatë një vizite në Qendrën Yeltsin në Katerinaburg në dhjetor, kur dy vizitorë të rastësishëm vunë re se veprës “Tre Fytyrat” të Anna Leporskayas u ishin vënë sy.
Piktura avangarde përmban tre figura abstrakte dhe në origjinale pa sy. Roja i sigurisë është shkarkuar dhe policia ka hapur një hetim penal. Në një deklaratë, drejtori ekzekutiv i Qendrës Yeltsin, Alexander Drozdov, tha se roja i sigurisë ishte i punësuar nga një shoqëri private sigurie.
Ishte gjithashtu dita e parë e rojes së sigurisë në punë, tha kuratorja e ekspozitës Anna Reshetkina.
Motivet që shtynë rojen që të modifikonte këtë pikturë sipas idesë së tij mbeten të paqarta, por mediat ruse thonë se gjatë dëshmisë së rojes, ai ka deklaruar se e ka bërë veprimin, sepse “ishte i mërzitur”.
Kuratorët e Qendrës Yeltsin thanë se sytë ishin vizatuar me stilolaps, duke depërtuar dhe shkatërruar kështu një shtresë të bojës origjinale të veprës.
Fatmirësisht dëmi nuk vlerësohet i pariparueshëm nga autoritetet ruse.
Incidenti u raportua fillimisht në polici më 20 dhjetor, por autoritetet fillimisht nuk pranuan që të nisnin një hetim penal pasi dëmi u konsiderua “i parëndësishëm”. Por, Ministria e Kulturës u ankua më vonë në zyrën e prokurorit të përgjithshëm për vendimin dhe javën e kaluar u hap një hetim penal.
Nëse shpallet fajtor, roja i sigurisë i dyshuar për krimin mund të përballet me gjobë të majme dhe deri në tre muaj burg. Piktura iu kthye Galerisë Shtetërore Tretyakov në Moskë për restaurim një ditë pas zbulimit të vandalizmit.
Restaurimi vlerësohet të kushtojë rreth 3500 dollarë.