Roman Abramovich, me kërkesë të Ukrainës, ndodhet në Bjellorusi për të ndihmuar në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës.
Jerusalem Post shkruan se milioneri rus me pasaportë izraelite ishte “kërkuar nga Ukraina për të ndihmuar në bisedime dhe udhëtoi për në Bjellorusi për të marrë pjesë në diskutime”.
Abramovich ka kontakte të ngushta me komunitetet hebreje si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi.
Abramovich, pronari i klubit të futbollit Chelsea, u vu në shënjestër në Angli, pas zërave për marrëdhënien e tij me presidentin rus Vladimir Putin. Të dielën ai vendosi të largohej nga drejtimi i ekipit të futbollit dhe ia besoi “menaxhimin” e Chelseat administratorëve të fondacionit bamirës të klubit.
Ndërkohë presidenti ukrainas Zelensky tha se ishte gati të lironte të burgosurit dhe të paraburgosurit “me përvojë ushtarake”.
“Është një zgjedhje e vështirë moralisht, por e nevojshme për mbrojtjen e vendit”, ka shkruar ai në kanalin e tij Telegram. Një lëvizje që mund të lexohej në mënyrë të qetë nga pala ruse.
Ndërkaq sipas përditësimeve të fundit, numri i njerëzve që ikin nga zonat e luftës po rritet dita-ditës. Më shumë se 500,000 refugjatë kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje. Shifra u përditësua përmes Twitter nga UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët.