Kulturë Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizi, një pasqyrë e trishtë e një realiteti...

Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizi, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur

Nga Ferdinand Hysi

Që në hyrje të këtij shkrimi doja të saktësoja një gjë: Leonard Veizin, autorin e romanit, për të cilin mora përsipër të shkruaj këto rreshta, e kam shumë mik. Rastësia e të qenit në të njëjtën punë, e lidhur kjo me përputhjen e interesave të përbashkëta, ai në prozë e unë në dramaturgji, edhe pse për një kohë të shkurtër, u kthye në një miqësi të fortë dhe të sinqertë. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk ka fare të bëjë me miqësinë mes nesh! Përkundrazi jam i parimit që të shkruarit thjesht për miqësi, apo dhe për armiqësi, asnjëherë nuk është një vlerë, si për letërsinë dhe artin në përgjithësi, por dhe në veçanti, dhe një gjë e tillë vetëm se i bën keq autorit për të cilin shkruhet. Këtë parim e kam te shenjtë dhe për veten time! Më ka ndodhur që miq të mi edhe pse autorë të shumë shkrimeve të ndryshme kritike, nuk kanë shkruar për ndonjë vepër timen dhe i kam kuptuar dhe i kam shumë miq dhe tani, ashtu si dhe një zonjë të cilën nuk e njihja fare, pasi në një diskutim të hapur foli jo mirë për një dramën time, pas kësaj e takova dhe u bëmë miq, pa i kërkuar të ndryshonte mendim. Ashtu si falënderoj dhe shumë studiues e kritikë që kanë shkruar për veprën time, ku me disa prej tyre nuk jemi njohur fare në momentin e analizave. E parashtrova të gjithë këtë për të thënë se ky shkrim, është nisur nga emocionet e mia personale për një vepër që për mendimin tim, është me të vërtetë një nga prozat më të arrira në fushën e romanit shqip.

Leonard Veizi dhe Ferdinand Hysi

Romani “Rrënimi” nuk është i pari roman që lexoja nga i njëjti autor. Duhet ta pranoj, se tërheqja ime drejt letërsisë së Leonardit, ishte e rastësishme. I larguar për shumë vite nga Shqipëria, duke lexuar më shumë në italisht, leximin e prozës shqipe e kisha të rrallë dhe deri diku me zgjedhje të qëllimshme. Për korrektesë të njohjes me Leonardin i kërkova vetë të lexoja ndonjë nga librat e tij. Por e pranoj, që në leximin e parë, romani “I çmenduri i pavionit 3”, ngela rob i rrjetës të një libri, të atij lloji për të cilin thuhet: “Po e fillove nuk e lë dot pa përfunduar”! Ishte kjo ndjesia e parë. E lexova me një frymë dhe me kënaqësinë që ndjen, kur sapo mbaron së lexuari një libër, pa u futur në analiza të thella, kupton se ai të ka pëlqyer dhe të ka bërë për vete në tërësinë e tij. Dhe kështu kërkova të lexoja libra të tjerë që ai i kishte botuar. Dhe kështu mora në dorë njëri pas tjetrit: “Surpriza e natës së fundit“, “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, “Rrëfimi”, “Lora” dhe së fundi romani i botuar këtë vit “Rrënimi”.

Kuptova një të vërtetë! Rastësia nuk më kish bërë të njihja vetëm një mik të mirë si Nardi, i qeshur dhe dashamirës me këdo duke falur vetëm miqësi, por po njihja një mjeshtër të romanit triller, të atij romani që sot në botë ka shumë autorë të njohur me mijëra e miliona kopje të shitura dhe të kërkuara me shumicë në tregun e leximit. Unë nuk jam kritik letrar, as ndonjë që ka bërë studime në këtë fushë, ndaj të më falë dikush nëse gaboj në terma profesionalë, por unë flas si lexues, që falë këtij leximi, kam zhvilluar dhe intuitën time në fushën e dramaturgjisë. Dhe në këtë këndvështrim, në mendimin tim personal, ndjej se romani i Leonard Veizit sjell në prozën e gjatë shqiptare një realitet, ku kritika letrare duhet ta thotë fjalën e saj, sepse jam i bindur që nëse më mirë do të punohet në drejtim të njohjes dhe propagandimit të tij (sepse modestia e vet autorit nuk ndihmon në këtë gjë, e cila me sa e kam njohur është shumë e theksuar), lexuesi do ta lexojë atë me shumë dëshirë, jo vetëm për faktin se stili e bën të thithet në lexim, por dhe për tematikën e tyre, të fortë dhe aktuale.

Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se autori Leonard Veizi, me këtë roman (pa përjashtuar dhe të tjerët më parë) misionin e vet e ka arrirë!

Romani, jo pa qëllim, hapet me një porosi për vrasjen e një personi dhe mbyllet me vrasjen e një tjetri, ku pavarësisht ndryshimit të objektit të vrasjes, thelbi është i njëjtë, duke qenë si kllapa hapëse dhe mbyllëse të një fjalie të gjatë, ku në përbërje të saj është vetë titulli i librit “rrënimi“. Dhe ky rrënim, nuk është thjesht fati i një apo disa personazheve në libër, që bien nga fronet e tyre të ndërtuara mbi padrejtësinë, krimin, vjedhjen, se sa është rrënimi i plotë i një shoqërie që e kapur keq, si një rrjetë merimange, nga ndërthurja e krimit në disa fusha të jetës shkon drejt degradimit moral.

Në këtë rrjet merimange, ku ne shohim të kapur insekte të ndryshme, por nuk e shohim merimangën, jepet qartë dhe pa ekuivoke ideja se krimi i organizuar dhe viktimat që shohim herë pas here, janë pjesë e spastrimeve që herë pas here krimi i organizuar i nxjerr si jashtëqitje nga trupi i vet, por koka dhe truri i këtij trupi mbeten të paprekura, duke e bërë konceptin rrënimi, jo si një fjalë e një ngjarje të shkuar, por si kambanë alarmi dhe për të ardhmen. Kjo e vërtetë e hidhur jepet realisht sidomos në fundin e romanit (që për mua është gjetja më simbolike e këtij romani), kur në fund vritet me porosi, pikërisht “më i pafajshmi i kësaj historie”, gazetari Nik Morina, por ama “më i fajshmi” për kokën e krimit të organizuar, pasi ishte ai që denoncoi gjithë rrjetën e merimangës. E trishtë dhe shumë e hidhur, ndërsa mbaron së lexuari romanin, ndjen se ndërsa disa insekte të kapura në rrjetën e merimangës bien, rrjeta ekziston dhe merimanga është diku lart e paprekur e gatshme të vrasë të tjerë denoncues të saj!

Në morinë e personazheve, personazhi kryesor i romanit, Martini, një arkitekt i talentuar, por shumë ambicioz, është vizatuar me detaje dhe me logjikën që fat i tij, pavarësisht talentit, do të shkonte natyrshëm drejt rrënimit të vet. Janë pikërisht këto lloj tipash, që për vetë karakterin e tyre kapen dhe thithen nga rrjetat e krimit dhe që hap pas hapi, diku me ndërgjegje diku si pa kuptuar shkojnë thellë e me thellë në vetfundosjen e tyre. Por fuqia e të vërtetave që ky roman demaskon, është fakti, se arkitekti është një pjesë e këtij Rrënimi të madh, ashtu si janë dhe të tjerë të cilët autori i ka dhënë në detajet e veta dhe jo pa qëllim me gjithë kompleksitetin e tyre. Koloneli Ernest Arbana, heroi i luftës së Kosovës, në pamje të parë, personifikimi i njeriut të ndershëm që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar ushtrisë, por duke pasur shpesh motiv të jetës së vet termin “mbijetesa” dhe duke u shprehur herë pas here “Me sa vështirësi përballemi në jetë” bie dhe ai pre rrjetës së merimangës, duke qenë një nga pikat kyçe të gjithë atij organizimi kriminal. (Ndërsa lexoja për një çast mendova: Këtu e ka prishur Nardi, si ka mundësi një kolonel i ndershëm në detyrë të dy fëmijët i ka me shkollë jashtë shtetit, por kur lexon në vijim, dhe kësaj dileme i jep përgjigjen që i ka dhënë vetë autori).

Në fakt, mjeshtëria e Leonardit si romancier, në formë, është pikërisht në ndërtimin e shumë linjave, të cilat lidhen me njëra-tjetrën në vijim dhe asnjëherë nuk të lë në dilemat paraprake që mund të të lindin gjatë leximit. Ngjarjet vijnë në pamje të parë si të ngatërruara, pa sensin e kohës, diku në retrospektivë, diku në të njëjtën kohë, por në vende të ndryshme, por qartësisht ato e bëjnë romanin intrigues, të qartë, pa dilemat fillestare, por gjithmonë me dëshirën për të mos ta lënë përgjysmë deri në përfundimin e tij. Ndërsa nga ana e përmbajtjes, edhe pse në roman hasemi me shumë vendngjarje të ndryshme, personazhe që në pamje të parë njihen apo nuk njihen mirë, faqe pas faqe shohim një lidhje të drejtpërdrejtë të tyre, ku fijet e rrjetës së merimangës, të shtrira në sektorë të ndryshëm, janë të lidhura fort me njëra-tjetrën në funksion të krimit që i mban të lidhur këto fije.

Një hotel abuziv diku buzë detit, edhe pse në jo në pronë të vet, i kthyer në depo armësh, me armë ligjërisht të nxjerra jashtë përdorimit, por disa të shitura jo legalisht jashtë shtetit, disa të tjera të demontuara nga ndërmarrje fantazmë, të gjitha në funksion të larjeve të parave të pista, bën bashkë pjesë të strukturave shtetërore, si qarqe të larta të ushtrisë, Banka të ndryshme, Studio projektimi dhe Ndërmarrje ndërtimi, investitorë me para që nuk dihet ku e kanë burimin organe që duhet të kontrollojnë, por të shurdhër dhe të verbër bëhen pjesë e kësaj rrjete merimange!

Kështu, në roman, ndërsa ndjekim Gregun në kërkim të viktimës së radhës, Martinin në udhëtimin e tij drejt vrasësit që e priste, Nik Morinën në kërkimet të të vërtetave, Admir Trinën, specialistin e bankës në manovrimet e tij, Kolonel Ernest Arbanën me firmat në emër të ligjit, për të afirmuar antiligjin, ndeshim dhe kapiten Arianin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, që edhe pse i ndërgjegjshëm për sa di, preferon më shumë të flasë për ca të vërteta me gazetarin se sa të çojë deri në fund detyrën e tij, duke ruajtur statuskuone e një mosfojle për hir të prekjes së interesave të instancave më të larta. I gjithë ky ingranazh korrupsioni, që lëviz si një makineri e mirë drejtuar, me fije të padukshme, por që autori lë të kuptojë se shkojnë lart, shumë lart, me zgjidhjen që ai i jep fundit të romanit, kupton se ndodhesh para një pasqyre të trishtë, që pasqyron imazhet e një realiteti të hidhur. Rrënimi personal i disa personazheve nuk është asnjë gjë para rrënimit total të një shoqërie, ku padrejtësia, krimi, korrupsioni bëhen fjalë e zakonshme e ditës, ku vritet e vërteta (jo vetëm moralisht, por dhe fizikisht me vrasjen e Nik Morinës) dhe morali i vlerave vihet në diskutim me atë të antivlerave.

Së fundi, thjesht si lexues i prozës së gjatë, unë do ua rekomandoja gjithë lexuesve dhe dashamirësve të romanit si gjini, se në krijimtarinë e Leonard Veizit do të gjejnë me siguri pritshmërinë e asaj që janë duke kërkuar!

Problemi është sa ta filloni se pastaj ai vetë nuk ju lë pa e përfunduar. Këtë e kam provuar vetë disa herë.

*Dramaturg