Iryna Romanova, shtetasja ukrainase që jeton në Tiranë, u shpreh në Euronews Albania se refugjatët që po vijnë në Shqipëri janë kryesisht ata që kanë blerë prona.
“Vite më parë, ka qenë promovimi shumë i madh për shitje pronash afër bregdetit dhe një pjesë e madhe e ukrainase kanë parë çmim të pranueshëm dhe kanë blerë prona në zonën bregdetare”, u shpreh ajo.
“Shumica e refugjatëve, 90% që kanë ardhur janë ata që kanë një pronë në bregdet. Ka procedura më të lehtësuar për të marrë leje qëndrimi”, tregoi ajo më tej.
Sipas saj, një pjese tjetër e refugjatëve që vijnë Shqipëri janë ata që kanë pasur një pjesë të familjes këtu. Ajo nënvizoi se ende nuk ka një plan në zbatim nga autoritetet shqiptare për strehimin e refugjatëve.
Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se ende nuk ka një plan masash për strehimin e ukrainasve, por pritet të ketë një vendim së shpejti nga qeveria.