Arbër Hajdari, i ftuar në emisionin “Wake Up”, foli për “BBVA 3” dhe sigurisht, nuk i kurseu mendimet e tij mbi banorët e shtëpisë së famshme.
Ai u ndal te Romeo, duke thënë se nuk e sheh si lojtar të fortë:
“Unë deri tani nuk e kam parë që të jetë një personazh brenda shtëpisë që të hyjë te lojtarët e fortë. Se çfarë do bëjë ai nesër, nuk e di. Por sot, nuk e shoh si lojtar të fortë. Fansat e Romeos, që e njohin Romeon për jetën që bën nga jashtë dhe për një personazh që ka hyrë brenda shtëpisë, ata do e duan Romeon sidoqoftë. Unë e njoh Romeon nga jashtë dhe mendoj që ai di të bëjë më shumë, di të bëjë më mirë se kaq”.
Më tej, shtoi se Romeo di të marrë pjesë në diskutime dhe t’i çojë në fund. “Mua nuk më pëlqen kur ai tërhiqet”.
Gjithashtu, foli edhe për marrëdhënien e Romeos me Heidin:
“Unë e kam parë herët, më është dukur një marrëdhënie e mirë. Kam më shumë merak të shoh se si ndihen vajzat. Heidi e ka reflektuar që është ndjerë mirë në krah të Romeos. Ka ca momente kur vajzat tregohen shumë të sinqerta dhe një nga këto momente ka qenë kur Heidi u pyet për një kompliment, se cili ishte komplimenti që asaj i ka bërë përshtypje dhe ajo tha komplimenti: “Ti je ndryshe”. Këtë kompliment ia ka bërë Romeo. Janë ca gjëra që ngelen te njeriu. Duket sikur gjërat po i marrin shtruar”.
Sigurisht, foli edhe për raportin Ilnisa-Meriton:
“Unë mendoj që ata kanë një romancë midis njëri-tjetrit dhe këtë e kanë dëshmuar jo nëpërmjet fjalëve, por nëpërmjet sjelljes. Mua më pëlqen që gjërat t’i lexoj nëpërmjet sjelljes, jo nëpërmjet fjalëve që ata thonë. Unë mendoj se kanë diçka më tepër. Edhe mund të jetë strategji, por nuk shoh se ka nxjerrë gjë në dritë nga përdorimi i kësaj marrëdhënieje”.
Gjithashtu, edhe për Sarën dhe Bardhin:
“Bardhi është djalë i qetë, kështu ka qenë që nga dita e parë. Është një karakter që ne e kemi parë dhe herë të tjera te lojtarë të tjerë brenda shtëpisë. Këto ditë më është dukur pak sikur Sara ka nisur një kërkesë llogarie, sikur ata kanë një marrëdhënie 30-vjeçare burrë e grua. Por, kjo ka të bëjë më shumë me karakteret e të dyve, Sara ka komplet një karakter tjetër dhe Bardhi do që të sheshojë debatet. Mendoj që është ai person që sa kohë të jetë në “Big Brother” nuk do ketë kurrë një konflikt”.
Opinionisti i “BBVA 3” foli edhe për debatet e këtij edicioni dhe u shpreh:
“Ne në studio ua kemi vënë në dukje, jo vetëm Ilnisës, por të gjithë banorëve për gjuhën e përdorur. Ne rolin e edukatorëve nuk e bëjmë dot nga studio. Çdo njeri prej tyre është përgjegjës për fjalët që nxjerr nga goja dhe është publiku ai që nëpërmjet votës, në mos sot nesër, vendos që t’i nxjerrë jashtë. Nëse publiku nuk i nxjerr jashtë, do të thotë që ka shumë gjëra të përbashkëta me këto banorë që janë brenda, që janë model i shoqërisë sonë. Vajzat kanë qenë më aktive sesa djemtë, deri më tani. Unë mendoj që sulmet që Ilnisa ka marrë apo ka bërë, po e forcojnë brenda shtëpisë, nuk e dobësojnë. Është i vetmi njeri që nuk rri rehat në asnjë moment, do që të përfshihet gjithandej”.