Ishim prej ditësh në kontakt me Ronën nga Vlora e cila në pjesën më të madhe të vitit jeton në Maqedoni, nga e cila prisnin të na tregonte historinë e saj, por e kishte të vështirë të na rrëfente çka kishte ndierë teksa i kishte treguar familjes që ajo ishte lesbike.
Rrëfimi i një grimieri të famshëm Mario Dedivanoviç përpara disa ditësh, ku pranoi se ishte gej, e bëri Ronën të na tregonte se si ishte ndjerë ajo në raport me familjen dhe të afërmit e saj.
Maroi shërbeu si frymëzim në këtë rast.
Teksa mori çmimin “American Influencer Award”, ai ku deklaroi publikisht se ishte gej.
“Dua t’iu them diçka të rëndësishme vëllezërve dhe motrave të mia shqiptare. Po ju kërkoj të gjithëve të hapni sytë, zemrën dhe shpirtin, sepse shumë vajza dhe djem në botë po rriten me dhimbjen që unë jam rritur. Jemi njësoj si gjithë të tjerët, të drejtuar nga dëshira për t’u dashur. Me të drejta të barabarta për të qenë të lumtur. Sot, për herë të parë, qëndroj me shumë krenari si 37-vjeçar gaj! Dhe në fund të ditës, ndihem i lumtur sepse jam unë”, u shpreh ai mes lotësh.
Rona e ka kaluar këtë fazë, me njerëzit e saj të afërm. Tani është 28 vjeç dhe punon si balerinë në lokale të ndryshme të Shqipërisë dhe në Maqedoni.
“Punoj ku të gjej punë. Ku të më thërrasin. Pas 8 vitesh që merrem me këtë gjë më duket sikur nuk di të bëj gjë tjetër’- tregon ajo teksa tymos një cigare.
“Unë kam vuajtur shumë. E kam mbajtur gjatë brenda vetes orientimin tim seksual. Madje edhe jam fejuar njëherë me një djalë, kur isha 18 vjeç. Më fejuan ata të shtëpisë. Nuk e shihja dot fare atë. Nuk është se nuk më pëlqente ai, por nuk më pëlqenin meshkujt. E kisha shumë të vështirë ta tregoja këtë gjë në familje. Fillova të pija. U dobësova dhe u mbylla në veten time”- rrëfen Rona.
“Kur u thash se doja të ndahesha sa nuk u ra tavani mbi kokë. Ka qenë një ndër ditët më të vështira të jetës time. Babi përfundoi në spital. Nëna u bë shumë keq. Pasi atë ditë u tregova se unë pëlqeja femrat”.
“U largova për dy javë nga shtëpia. Erdha në Tiranë dhe jetoja me një shoqen time që për shumë kohë u bë edhe e dashura ime”- tregon Rona.
“Më pas erdhi nëna me motrën në Tiranë. U takuam, qamë shumë atë ditë. Ato më thanë se ti je familja jonë, si do që të jesh. Problemi ishte të miqtë dhe të afërmit. Nga ata ndihem ende e paragjykuar. Për shkakun time ndihet edhe familja ime. Shumë të afërm na janë larguar, vetëm për faktin se më konsiderojnë të shthurur”.
Në fund të bisedës ajo ka një mesazh për të gjithë.
“Njoh shumë vajza dhe djem të komunitetit LGBTI që e vuajnë shumë orientimin e tyre seksual. Që nuk i pranon familja dhe se ndihen të braktisur. U bëj thirrje të gjithë prindërve që, asgjë më shumë se sa fjala e tyre nuk ka rëndësi për fëmijët, ndaj, mbajini sa më pranë ata, për mos ta rënduar edhe më tepër shëndetin e tyre mendor”.
*Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me PNUD në Shqipëri, po zbatojnë projektin “Të Lirë dhe Të Barabartë” nëpërmjet të cilit synohet rritja e ndërgjegjësimit kundrejt dhunës homofobike, transfobike dhe diskriminimit.