Juventusi ka hedhur pas krahëve humbjen në Napoli, pasi ka bërë reagimin e duhur mesditën e sotme ndaj Fiorentinës në “Allianz Stadium”, ku ka triumfuar me rezultatin e pastër 3-0.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 40’, kur kapiteni i Fiorentinës German Pezzella ndali me dorë një gjuajtje të Pjanic, ndërsa arbitri akordoi 11-metërsh pasi rishikoi aksionin në VAR dhe penalltinë e ekzekutoi saktë portugezi Cristiano Ronaldo duke dërguar topin në rrjetë.
Ndeshja ishte e hapur deri 10 minuta para fundit, ndërsa Fiorentina i shkoi pranë golit me Benassin, por gjuajtja e tij kaloi ngjitur me shtyllën, megjithatë në minutën e 80’ arbitri akordoi një tjetër 11-metërsh për Juventusin, këtë herë për një faull në dëm të Bentancour.
Nga pika e 11 metrave shkoi sërish Ronaldo, që dyfishoi shifrat.
Ky gol mbylli edhe llogaritë e sfidës, ndërsa në minutat shtesë pati kohë edhe për një gol të mbrojtësit holandez Mathijs De Ligt, që kërceu mbi të gjithë në zonë dhe arriti të mposhtë për herë të tretë portierin Dragowski.
Për tu nënvizuar se Ronaldo me golat e sotëm shkoi në kuotën e 50 golave me Juven, ndërsa barazoi edhe David Trezeguet duke shënuar për të nëntën ndeshje radhazi.
Me këtë fitore Juventusi konsolidon pozitat në krye të renditjes me 54 pikë, plot 6 më tepër se Interi i vendit të dytë, ndërsa Fiorentina mbetet në vendin e 14 me vetëm 25 pikë të grumbulluara dhe shumë larg zonës europiane të renditjes.