Massimiliano Alegri nuk e quan të domosdoshëm Cristiano Ronaldon në Juventusin që po mendon të ndërtojë për sezonin e ardhshëm dhe u ka lënë dorë të lirë drejtuesve që të negociojnë shitjen apo prishjen e kontratës me të.
Tekniku që sapo ka firmosur rikthimin në pankinën bardhezi dëshiron t’i japë besim dyshes Dybala-Morata, me të cilët ka punuar edhe më herët dhe i ka bërë të shprehen mjaft mirë së bashku, teksa këtë herë do të kenë edhe ndihmën e një lojtari polivalent si Federico Chiesa.
Sa u përket afrimeve të reja, drejtuesit e Juventusit po punojnë shumë për të sjellë në Torino dy futbollistët të cilëve u ka skaduar kontrata me Milanin, portierin Donnarumma dhe fantazistin turk Calhanoglu.
Për Donnarummën ka një marrëveshje gati dhe zyrtarizimi mund të vijë pas përfundimit të Kampionatit Europian, pasi bardhezinjtë duan të gjejnë më parë një klub ku të shesin polakun Szczesny.
Sa i përket Calhanoglu, Allegri ka shfaqur preferencën e tij për turkun, që mund të luajë thuajse në të gjithë pozicionet e mesfushës dhe mund t’i japë mundësi trajnerit të bardhezinjve të ndryshojë vazhdimisht skemën gjatë një ndeshjeje.
Turkut i përfundon kontrata me Milanin më 30 qershor dhe për të marrë shërbimet e tij, Juventusi duhet vetëm t’i plotësojë pretendimet ekonomike, ose thënë më thjeshtë, t’i ofrojë një kontratë të paktën 4-vjeçare, me pagë neto 6 milionë euro në sezon.
Reparti që pritet të pësojë më pak ndryshime është ai i mbrojtjes, pasi përveç De Ligt dhe Bonuccit, Allegri ka dhënë miratimin për rinovimin me Chiellinin dhe veterani italian e turku Demiral do të jenë alternativat e para në pankinë.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjidhja që Allegri do të bëjë për rolin e “regjisorit”, sepse përpara mbrojtjes bardhezinjtë kanë hasur shumë vështirësi gjatë sezonit të fundit.
Braziliani Arthur Melo garanton pasime të shpejta dhe qarkullim të dendur, por nuk ka forcën dhe zgjuarsinë taktike për të ndalur sulmet e kundërshtarëve, ndaj nuk përjashtohet opsioni i rikthimit të Miralem Pjanic.
Boshnjaku ka qenë një nga liderët e Juventusit të Allegrit disa sezone më parë, por te Barcelona ka dështuar totalisht, ndaj katalanët do të pranonin me kënaqësi një huazim, për të shpëtuar nga paga e tij e majme.