Momenti i vështirë i Cristiano Ronaldos në përballjen kualifikuese për botërorin “Katar 2022” me Serbinë mund të kthehet në një moment shprese për një fëmijë gjashtëmuajsh.
Në ndeshjen e 27 marsit, futbollisti portugez u largua nga fusha duke hedhur shiritin e kapitenit përtokë në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit për të mos i akorduar gol një rast të minutave të fundit. Nëse do të ishte quajtur gol rasti i pretenduar, atëherë Portugalia do ta kishte fituar ndeshjen 3-2.
Pas këtij episodi, zjarrfikësi Djordje Vukcevic, i cili ishte në gatishmëri në atë ndeshje, e mori shiritin e kapitenit të Ronaldos dhe vendosi ta nxjerrë në një ankand në internet kjo si një mënyrë më e shpejtë për të mbledhur para për trajtimin mjekësor të një fëmije gjashtëmuajsh, i cili vuan nga atrofia muskulore e shpinës kurrizore.
“I gjithë grupi ramë dakord se kjo mënyrë mund t’i vinte në ndihmë të voglit Gavrilo Djurdjeviç,” – u shpreh Vukçeviç për mediat lokale.
Oferta fituese për shiritin e Ronaldos ishte 64 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme. Nëna e Gavrilos, Nevena Djurdjeviç, është shprehur se këto para do ta ndihmojnë disi për situatën e të birit.
Zjarrfikësi Vukçeviç, dhe kolegët e tij, janë zotuar të shesin në ankand çfarëdo lloj objekti me vlera kujtimore që do të mund të pikasin gjatë ndeshjeve të futbollit, kjo si mënyrë për të arritur kuotën e mbi 2 milionë eurove që nevojiten për trajtimin e atrofisë.
Familja e Djurdjeviç ka grumbulluar deri më tani rreth 500 mijë euro.