Cristiano Ronaldo do të përballet me një sfidë të re këtë të mërkurë, në orën 21:00. Bashkë me bardhezinjtë do të luajë finalen e “Coppa Italia” për vitin 2021, kundër Atalantës. Do të jetë finalja e 37-të e karrierës së tij midis Portugalisë, Sporting, Manchester United, Real Madrid dhe Juventus, ku mund të fitojë trofeun e fundit të madh para një largimi të mundshëm kësaj vere.
Ekipet dhe kombëtarja, në të cilën Cristiano Ronaldo ka luajtur në karrierën e tij, kanë zhvilluar gjithsej 36 finale, nga të cilat ylli portugez ka marrë pjesë në 29. Nga ato 29 finale në të cilat ka marrë pjesë (nuk ishte në disa të tjera për shkak të dëmtimit), ai fitoi 19 dhe humbi 10, duke shënuar gjithsej 20 gola.
Kjo përkthehet në 71% sukses, duke shënuar brenda 90 minutave (kohës së rregullt), ose në kohën shtesë dhe gjuajtjet e penalltive. Po flasim për finale në të cilat ai kaloi të paktën një minutë në fushë. Për më tepër, golat e tij në finale, shumicën e kohës shoqëroheshin me titull. Ai shënoi vetëm 4 gola në 9 finalet që ka humbur, ndërsa ishte në fushë gjatë karrierës së deritanishme: një me penallti në “FA Cup” 2005 kundër Chelsea, dy në Superkupën Spanjolle 2012 kundër Barçës dhe një në finalen e “Copa del Rey” 2013, kundër Atlético Madridit.
Tani, kundër Atalantës, do të përjetojë finalen e tij të pestë me Juventusin që nga mbërritja në Itali. Ai fitoi Superkupat 2018 dhe 2020, duke shënuar një gol në secilin prej tyre, si dhe humbi finale e Kupës së Italisë 2020 kundër Napolit dhe Superkupën 2019 kundër Lazio, pa realizuar gol në asnjërën.
Karakteri i tij si “hajmali” në momentet në të cilat ka një titull në lojë përmblidhet me të dhënat e mëposhtme: 19 finale në fushë të fituara dhe 16 gola midis të gjithave, që përkthehet në 84% të ngjarjeve të mëdha ka prekur rrjetën. Midis tyre janë katër finale të Ligës së Kampionëve, katër Botërorë për Klube, nga dy Superkupa të Spanjës, Italisë dhe Europës.
Një makinë e vërtetë shënimi, që disa ditë më parë realizoi golin e tij të 100-të me Juventusin, duke qenë shënuesi i parë në historinë e futbollit që e arrin këtë shifër me tri klube të ndryshme dhe ekipin kombëtar portugez.