Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, i cili rezultoi me koronavirus një ditë më parë, këtë pasdite do të kthehet në Torino, për të qëndruar aty në karantinë.
Ai do të udhëtojë nga qendra stërvitore në aeroport me një ambulancë, ndërsa më pas do të fluturojë nga Portugalia në drejtim të Italisë me një avion privat. CR7 kreu dy teste në laboratorët që përdor Federata Portugeze dhe ka rezultuar pozitiv, ndërkohë që ka kërkuar të bëjë edhe një test në një laborator tjetër, ku përgjigjja ka dalë e paqartë.
Ndërkohë, mister mbetet mënyra se si është infektuar sulmuesi i Juventusit, i cili gjatë 10 ditëve të fundit ka qenë i grumbulluar së bashku me shokët e tij të ekipit, të cilat kanë rezultuar negativë.
Pas infektimit të Ronaldos reagoi edhe motra e tij, Katia, tejet e irrituar në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime mbi pozitivtetin e të vëllait të saj, pasi ai ishte i vetmi që doli pozitiv në teste. Katia u bën thirrje njerëzve që të “hapin sytë”, ndërsa thekson se Ronaldo nuk ka asnjë problem
“Nëse Cristiano Ronaldo duhet të zgjojë botën, duhet të them se ai me të vërtetë është një lajmëtar i Zotit. Faleminderit! Unë besoj se sot mijëra njerëz do ta besojnë pandeminë, testet dhe masat e marra, aq sa unë… Ky është mashtrimi më i madh që kam parë, qysh kur kam lindur”.
Përveç kësaj, ajo donte të zgjidhte debatin me një frazë të marrë nga një media dhe që shërbeu për t’i dhënë më shumë konspiracion çështjes: “Një frazë që lexova sot dhe që e duartrokita në këmbë: Mjaft të bëj një botë kukullash, dikush të hapë sytë, ju lutem”. I njëjti mesazh u nda menjëherë nga nëna e saj, Dolores Aveiro, pak orë pasi ajo i dërgoi një mesazh motivues të birit, duke uruar shërimin e shpejtë të tij.