Sport Ronaldo: Kush më pëlqen mua, nuk ka pse të urrejë Messin. Ne...

Ronaldo: Kush më pëlqen mua, nuk ka pse të urrejë Messin. Ne ndryshuam historinë e futbollit

Për 15 vite, futbolli u dominua nga rivaliteti i Cristiano Ronaldos dhe i Lionel Messit. Ndonëse dyshja gëzonte respekt për njëri-tjetrin, fansat e tyre nuk kanë qenë në harmoni. Për këtë arsye, CR7 duke folur për këtë armiqësi, pati një mesazh për ndjekësit e futbollit.

“Nuk e shoh si rivalitet. Nëse ju pëlqen Cristiano, nuk keni pse ta urreni Messin dhe anasjelltas. Ne ndamë të njëjtën skenë për 15 vjet. Ndryshuam historinë e futbollit. Nuk po them se jemi miq, por ka respekt të ndërsjellë. Trashëgimia jeton, “rivaliteti” jo. Njerëzit e shijuan, ishte shumë mirë”, tha CR7 duke iu referuar Messit.

Ronaldo u pyet edhe për vendimin e tij për t’u larguar nga Evropa dhe gjithë kritikat që e shoqëruan këtë transferim, mirëpo portugezi ndihet i pashqetësuar.

“Është normale të kritikosh, cila ligë nuk merr kritika? Ku nuk ka probleme dhe mosmarrëveshje? Ata janë kudo. Spanjë, Portugali. Tashmë e dija, vazhdoj t’u them të gjithëve që menduan se isha i çmendur, se nuk jam aq i çmendur. Është normale të luash në ligën arabe. Si lojtar i Al Nasr, e dija që kjo do të ndodhte, është privilegj të ndryshosh kulturën dhe futbollin e një vendi, të kesh yje të mëdhenj dhe kjo më bën krenar. Unë kam qenë pionieri dhe ndihem krenar për këtë. Ajo që dua më shumë është që gjithmonë të vazhdoj të zhvillohem në mënyrë që të jem më i miri”, shtoi ai.

Mirëpo a do jetë Ronaldo në botërorin e 2026? Për këtë, as ai vetë nuk e ka një përgjigje.

“Nëse unë luaj në Kupën e Botës 2026? Unë do të jem shumë i sinqertë. Në dy vitet e fundit kam filluar të mendoj ndryshe. Kanë ndodhur gjëra që më kanë bërë të mendoj se jeta duhet të jetë me momente. Nuk mund të mendoj më afatgjatë. Në përgjithësi çdo gjë mund të ndodhë, por mendoj se është mirë të shijosh momentin. Objektivi im tani është të shkoj në Euro dhe të kem një Euro të shkëlqyer”, përfundoi ylli portugez.