Transferimi i Cristiano Ronaldos në “Old Traffod”, aty ku kishte shkëlqyer në fillimet e karrierës së tij në periudhën 2003-2009, po rezulton një lëvizje e goditur si për “Djajtë e Kuq” ashtu edhe për CR7.
“Ylli” portugez ka shënuar katër gola në tri ndeshjet e para me Manchester United, çka tregon impaktin e menjëhershëm që ka patur në skuadrën e drejtuar nga Solskjaer. Përveçse për formën që po shfaq, Ronaldos kalimi në klubin e famshëm anglez i ka vlejtur shumë edhe në aspektin financiar. Sipas revistës Forbes, CR7 do të jetë futbollisti që do të përfitojë më shumë para gjatë sezonit 2021-2022, duke zhvendosur në vendin e dytë rivalin e tij të përjetshëm, Lionel Messi.
Ronaldo pritet të fitojë 125 milionë dollarë (91.5 milionë stërlina), pa hequr taksat, gjatë sezonit 2021-22, me 70 milionë dollarë (51.25 milionë stërlina) që vijnë nga paga e tij dhe shpërblimet për kthimin në “Old Trafford”.
Messi, ndërkohë, ulet në vendin e dytë me 110 milionë dollarë (80.5 milionë stërlina), ndërsa pas “yllit” argjentinas renditen shokët e tij të skuadrës te Paris Saint-Germain, Neymar dhe Kylian Mbappe. Pesëshja më e mirë kompletohet nga Mohamed Salah i Liverpoolit.
Si krahasohet Ronaldo me sportistët e tjerë?
Me 55 milionë dollarë (40 milionë stërlina) fitime që vijnë nga marrëveshjet komerciale, Ronaldo është një nga sportistët më të paguar në botë kur është fjala për të ardhurat e sponsorizimit.
Vetëm tre atletë të tjerë aktivë fitojnë më shumë para nga marrëveshjet me sponsorët se CR7: Roger Federer (90 milionë dollarë/66 milionë stërlina), LeBron James (65 milionë dollarë/48 milionë stërlina) dhe Tiger Woods (60 milionë dollarë/44 milionë stërlina).